14 Tetor, 2024 - 4:05 pm
Komedia “Krimi është vetëm i imi”, e vënë në skenë nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës, korri sukses edhe në Tiranë, dhe ishte pikërisht ajo që inauguroi sallën e re të Universitetit të Arteve.
Për shfaqjen pati një interes të jashtëzakonshëm nga artdashësit. Ajo shkaktoi të qeshura e duartrokitje pafund. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, ky produksion i suksesshëm, që erdhi nën regjinë e Driada Dervishit, bëri bashkë 11 aktorë të njohur e të rinj të skenës teatrore shkodrane.
Komedia përveç se në Shkodër ishte shfaqur më parë edhe në KokoFest, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë. “Krimi është vetëm i imi” bazohet mbi një komedi franceze të shkruar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, nga George Berr dhe Louis Verneil, vepër e cila ka frymëzuar edhe disa realizime kinematografike.
Regjisorja Driada Dervishi kishte përzgjedhur një kast aktorësh të mirënjohur si Olta Daku, Neritan Liçaj, Linda Jarani, Romir Zalla etj., të cilëve iu bashkua dhe aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Besnik Çinari./atsh/KultPlus.com