1 Shtator, 2022 - 11:07 am
Pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ( SBAShK ) e drejtuar nga Rrahman Jasharaj ka ftuar mësimdhënësit që t’i bashkohen grevës dhe ka bërë thirrje që nxënësit të mos dalin sot në shkollë, koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës – KNK kanë reaguar duke u shprehur se nëse sot më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim.
Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
“Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.
KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët”.
Sipas njoftimeve në disa shkolla procesi arsimor është duke u zhvilluar, ndërsa në disa të tjera jo. / KultPlus.com