Komisioni i Përhershëm i Historisë diskuton strategjinë e kërkimit shkencor dhe aktivitetet për 2025-ën

20 Dhjetor, 2024 - 12:59 pm

Në Akademinë e Shkencave u mblodh Komisioni i Përhershëm i Historisë ku u diskutua për projektin e strategjisë së kërkimit shkencor të Institutit të Historisë dhe aktivitetet e vitit 2025.

Morën pjesë prof. Paskal Milo, kryetar i këtij komisioni, akad. Marenglen Verli, prof. Kaliopi Naska, prof. Bernard Zotaj, prof. Redion Luli, prof. Andi Rëmbeci, prof. Petrit Nathanaili, prof. Ferid Hudhri, prof. Ermal Baze dhe prof. Arben Cici.

Prof. Paskal Milo theksoi rëndësinë e diskutimit të strategjisë dhe e konsideroi atë si një çështje të rëndësishme për zhvillimin e kërkimit shkencor.

Ai u shpreh se dokumenti duhet të njihet paraprakisht, që të finalizohet strategjia pas shqyrtimit në Këshillin Shkencor dhe më pas dokumenti të shpërndahet për shqyrtim, e në mbledhjen tjetër të komisionit të diskutohet. Mbledhja e ardhshme pritet të zhvillohet në periudhën 10-15 janar 2024.

Prof. Paskal Milo tha se ASHSH-ja do të miratojë një strategji të përbashkët për të gjitha institutet dhe mendimet e dhëna do të përmblidhen në një dokument që do t’i dërgohet qeverisë. Si përfundim prof. Milo u shpreh se mendimet dhe propozimet duhet të reflektojnë vullnetin e shumicës.

Më pas u diskutua për aktivitetet që mund të përfshihen në planin e punës së Komisionit të historisë për vitin 2025, si konferenca dhe tryeza shkencore.

Prof. Ferid Hudhri propozoi një seminar për çështje të diskutueshme, jo vetëm nga këndvështrimi i historisë, por edhe të historiografisë, për të nxitur një mjedis intelektual historiografik.

Prof. Hamit Kaba e vuri theksin te nevoja për bashkëpunim dhe koordinim mes anëtarëve të komisionit dhe Institutit të Historisë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe ndikimin në mjedisin shkencor.

Prof. Marenglen Verli tha se, pas shqyrtimit të propozimeve, komisioni duhet të përzgjedhë aktivitetet, dhe ASHSH-ja duhet të angazhojë specialistë për aktivitete të caktuara. Ndërsa prof. Bernard Zotaj theksoi se ASHSH-ja, si një institucion shkencor, duhet të dalë me përfundime të qarta për ngjarje të caktuara në histori. Prof. Arben Cici trajtoi çështjen e lëndës së historisë në shkollat e mesme dhe propozoi organizimin e një tryeze për këtë temë./ KultPlus.com

Të ngjajshme