Kompania italiane e çantave të shtrenjta ‘zhduk’ Shqipërinë nga harta e Evropës dhe botës, konsiderohet skandal diplomatik

10 Korrik, 2023 - 1:56 pm

Kompania italiane e modës “Alviero Martini” në modelin e çantave “Geo Classic Large” ka zhdukur Shqipërinë nga harta e botës dhe Evropës.

Në dizajnin e çantës në formën e hartës, Shqipëria nuk gjendet, por është copëtuar mes Jugosllavisë dhe Greqisë, përcjell KultPlus.

Këtë veprim të kompanis italiane, gazetari Bledi Mane e quan “skandal diplomatik” dhe i kërkon qeverisë shqiptare të protestojë urgjentisht ndaj kompanisë së modës dhe shtetit italian sepse sipas tij ky është një kërcënim serioz, poshtërues dhe deformues.

Ky është reagimi i plotë i Manes:

POSHTËRUESE DHE SKANDAL DIPLOMATIK/ Çantat e shtrenjta Alviero Martini zhdukin Shqipërinë nga harta e Evropës dhe e Botës

***

Kurrë nuk ka qenë Shqipëria pjesë e Jugosllavisë, kurrë më parë teritori shqiptar nuk ka qenë i ndarë si me thikë mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Ajo çka ka qenë ngulitur në mendjet e shovinistëve serbo-grekë për qindra vjet nuk u realizua kurrë në realitet por një stilist italian ka vite që e materializoi.

Alviero Martini, konceptuesi dhe realizuesi i çantave, portofolëve, atleteve të shtrenjta të dizajnuara me harta të ndryshme vjen me një kërcënim serioz poshtërues dhe deformues. Ka fshirë nga harta e Evropës vendin e kombit më të vjetër Shqipërinë dhe e ka coptuar mes Jugosllavisë tashmë të shkërmoqur dhe Greqisë. Si i pari gazetar që po ulëras për këtë skandal diplomatik u kërkoj shqiptarëve ta refuzojnë blerjen e këtij stilisti matrapaz ndërsa qeveria shqiptare duhet të protestojë urgjentisht ndaj kompanisë së modës dhe shtetit italian ku gatuhet dhe prodhohet ky monstruozitet! / KultPlus.com

Të ngjajshme