29 Maj, 2020 - 6:54 pm
Shkencëtarët kinezë që po punojnë për vaksinën ndaj COVID-19 kanë thënë për Sky News se janë “99 për qind” të sigurt se ajo do të jetë efektive.
Sinovac, kompania bioteknologjike me bazë në Pekin, aktualisht e ka vaksinën e saj për COVID-19 në fazën e dytë të testimit, me më shumë se 1000 vullnetarë pjesëmarrës.
Kompania ka thënë se është në diskutime preliminare për të mbajtur fazën e tretë të testimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Faza e tretë është e fundit e testimeve.
Luo Baishan, studiues në Sinovac, është pyetur nëse mendon se vaksina do të jetë e suksesshme.
“Po, po. Duhet të jetë e suksesshme. 99 për qind”, ka thënë ai.
Muajin e kaluar kjo kompani publikoi rezultatet në një revistë akademike. Sipas kompanisë, vaksina e quajtur CoronaVac mbron majmunët nga infeksioni me koronavirus.
Problemi më i madh me të cilin po përballet kompania, është numri i vogël i rasteve me COVID-19 në Kinë. Kjo e bënë testimin e vaksinës në një situatë epidemike të vështirë. Për këtë kompania po kërkon vend tjetër për testimet e fazës së tretë.
“Po flasim me disa vende evropiane dhe mendoj se kemi diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht është faza preliminare për diskutim”, ka thënë Helen Yang, udhëheqëse në kompani.
Kompania po përparon sa i takon prodhimit, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet, raporton Sky.
Në selinë e kompanisë pakot e vaksinës me ngjyrë të portokalltë dhe të bardhë janë gati për shpërndarje. Synimi i angazhimit të dyanshëm është që prodhimi masiv të fillojë menjëherë, nëse provat dalin të suksesshme dhe vaksina merr lejen për përdorim.
Synohet prodhimi i 100 milionë dozave, në një fabrikë në tjetër pjesë të Pekinit.
Vaksina megjithatë nuk do të jetë gati së shpejti. Duhet të kalojnë disa muaj në fazën e dytë para se të mund të fillojë faza e tretë. Më pas, nëse testimi del i suksesshëm, duhet që vaksina të miratohet. /KultPlus.com