30 Mars, 2024 - 3:26 pm
Mënyra e hapur e dorëzimit të faturave tek qytetarët, do të vazhdojë deri më 30 qershor të këtij viti. E nga 1 korriku, kjo do të realizohet përmes zarfit.
Kështu ka vendosur Agjencia për Informim dhe Privatësi, me qëllimin ruajtjen e privatësisë dhe pamundësinë e qasjes së personave të paautorizuar në faturë, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Ndërmarrja Publike Banesore, është ajo e cila vendimin mbi faturat e zarfuara, po e sheh si sfidë për 13 mijë konsumatorët e saj, ngase sipas tyre kjo mënyrë e dorëzimit e ngadalëson procesin e shpërndarjes së faturave.
Ndërsa mendim të kundërt e edhe praktik, ka Kompania Regjionale “Pastrimi”, të cilët thonë se faturat me zarf, tek qytetarët i dërgojnë tash e gjashtë vite, dhe nuk e shohin si sfidë.
Vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, po e mirëpresin edhe qytetarët, të cilët në rast se faturën nuk e marrin në këtë lloj mënyre, kanë mundësi ankese dhe se, hapja e zarfit më pas kalon në stad të hetimit dhe cilësohet si vepër penale.
Ata të cilët nuk e respektojnë ligjin dhe e shkelin atë, do të pasojnë edhe gjobat nga 20 mijë deri në 30 mijë euro.