Komuna e Prishtinës subvencionon 179 projekte kulturore

4 Korrik, 2019 - 11:05 am

Komuna e Prishtinës ka publikuar listën e projekteve kulturore të cilat janë mbështetur në fazën e parë të thirrjes për ndarje të subvencioneve. 

Në këtë konkurs kishin aplikuar gjithsej 267 projekte, 88 prej të cilave nuk kanë marrë mbështetje. Për këtë fazë, me konkurs ishte planifikuar që të ndaheshin 415 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.

Projekti i cili është mbështetur më së shumti është një ekspozitë nga fondacioni “Familja Bogujevci”. Ky projekt është mbështetur më 11 mijë e 560 euro, njëherësh edhe shuma maksimale e mbështetjes financiare për këtë thirrje. 

Për këtë ekspozitë ishin kërkuar mbi 28 mijë euro. Pas këtij projekti, me më së shumti të holla është mbështetur edicioni i 10-të i festivalit “Chopin Pinao Fest Prishtina” nga 12 mijë e 600 euro të kërkuara ata kanë marrë 10 mijë euro. Po ashtu, festivali për fëmijë “Lollipop” me përfaqësues Florent Boshnjakun ka marrë 10 mijë euro. Pastaj “Prishtina International Film Festival” ka marrë 9 mijë euro nga 11 mijë e 500 euro të kërkuara. 

9 mijë euro ka marrë edhe OJQ “Studio Antigona & M” me përfaqësues Melihate Qenën për prodhim të shfaqjes “Pantallonet e Kangusë”. Gjithashtu edhe për programin vjetor të “Kino Armatës” janë ndarë 9 mijë euro. Shuma minimale e mbështetjes financiare ka qenë 500 euro. Me këtë shumë janë mbështetur kryesisht botimet. Në mesin e projekteve të mbështetura janë projektet si: “Këmisha e Diellit”, një botim me tregime nga Arif Bozazhi, “Maçoku mbi çati” nga Shaip Graboci, “Darka për dy vetë”, botim nga Nexhat Halimi, apo “Ora me qostekë” nga Fatmire Duraku- Halimi. 

Komuna ka vonuar gati tre muaj rezultatet për përkrahjen e ngjarjeve kulturore.

https://prishtinaonline.com/uploads/subvencionet_faza_i_re_2019-pdf.pdf

Të ngjajshme