Komuna e Skenderajt i hyn me bager Shtëpisë se Kulturës ne Runik, MKRS ndalon punimet

14 Korrik, 2023 - 4:55 pm

Ministria e Kulturës ka dalë me reagim pasi Komuna e Skenderajt ka filluar ndërhyrjet për shkatërrimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik, përcjell KultPlus.

MKRS nëpërmjet këtij reagimi thotë se institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.

Në vijim KultPlus ua sjell reagimin e plotë të MKRS-së:

REAGIM

Shtëpia e Kulturës në Runik është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje, si dëshmi e historisë kulturore dhe rëndësisë së saj për banorët e Runikut dhe fshatrat rreth tij.
Ndërhyrjet degraduese nga ana e Komunës së Skenderajt janë bërë pa pëlqimin e institucioneve të MKRS-së dhe në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale.

Ky monument ngërthen kujtimet e komunitetit për ngjarjet e pasura kulturore të organizuara në bibliotekën, kinemanë dhe sallën koncertale, si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit vjetor ka paraparë buxhet për renovimin e Shtëpisë së Kulturës, në mënyrë që ky monument të rijetësohet dhe të vihet në shfrytëzim për komunitetin e Runikut dhe më gjerë.

Prandaj, i apelojmë komunës së Skenderajt që të ndërpresë veprimet e paligjshme, dhe njëkohësisht rikujtojmë që mbrojtja e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shtetërore, qendrore e lokale./KultPlus.com

Të ngjajshme