25 Maj, 2022 - 12:51 pm
Komuniteti shqiptar në luginën “Vale Camonica”, numëron mbi 4 mijë njerëz. Të gjithë bashkëkombas të shpërngulur nga trojet e tyre dhe të vendosur në lokalitetet e kësaj lugine, e cila përshkohet në të gjithë gjatësinë e saj prej lumit Oglio me burim nga lartësitë e “Ponte di Legno”(1278 m) duke përshkuar lokalitetet, Sebino, Costa Volpino e më pas në Sarnico, në liqenin e Iseo duke vazhduar drejtimin për tu bashkuar përfundimisht me lumin PO, i pari nga prurjet e tij në Itali.
Për shkak të gdhendjeve të shumta shkëmbore me simbole të ndryshme, në vitin 1979 UNESCO e shpalli këtë luginë, pasuri të trashëgimisë botërore, ndërsa në vitin 2018 e gjithë lugina u përcaktua si një rezervë biosfere për aftësitë e saj ruajtëse të ambientit.
Pikërisht ky komunitet i përfaqësuar nga shoqata “Shqiponja” nën drejtimin e Sherif Nuredini, i dhuroi Bashkisë në “Darfo Boario Terme” një statujë të Nënë Terezës e njohur tashmë në të gjithë botën për humanizmin e saj.
“Kjo statujë e vendosur në parkun “Conventone” është një dhuratë simbolike në shenjë falënderimi për mikpritjen dhe mundësitë që ne gjetëm këtu mes popullsisë vendase, ku hodhëm rrënjët për të ndërtuar jetën së bashku me familjet tona, të integruar dhe të konsoliduar”, thotë Sherif Nuredini në momentet e zbulimit të statujës së mbuluar me flamurin tonë kombëtar nga kryetari i komunës “Darfo Boario”, Ezio Mondini.
Mondini në përshëndetjen e tij vlerësoi integrimin, bashkëpunimin dhe kontributin që jep komuniteti shqiptar në bashkëjetesë paqësore e dinjitoze edhe pse vjen nga shumë shtete të rajonit të Ballkanit, ndërsa për Nënë Terezën ai vijoi me leximin e fjalëve të gdhendura në pllakën e bronzit të shtatores së saj.
“Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri”, e cila do të mbetet një dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria për dinjitetin e çdo njeriu dhe vlerësimit të gjërave të vogla që kushdo mund të bëjë me besnikëri e dashuri.
“Komuniteti ynë është kudo, shtoi Nuredini, vetëm shikoni përreth. Nga shëndetësia te ndërtimi, nga tregtia te hoteleria, arti dhe agrikultura, si një komunitet i bashkuar e i integruar mirë në territor e në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur identitetin e tij edhe me hapjen e së parës shkollë shqipe në Darfo (Bresha) në vitin 2017 dhe më pas edhe në “Costa Volpino-Bergamo për vetë shtrirjen që ka ndërmjet dy provincave kjo shoqatë. Duartrokitjet dhe shtrëngimet e duarve mbas inaugurimit të shtatores së Nënë Terezës u pasuan me ekzekutimin e himneve kombëtare të Italisë e Shqipërisë dhe me përshëndetjet e personaliteteve të ftuara në këtë festë.
Në traditën tonë këngët dhe vallet si pjesë e dëfrimeve në ditë festive u shpalosën me fluturimin e tingujve të grupit muzikor “Sajmo” dhe zërit melodioz të këngëtares Elhame Ahmetaj. Sheshi ishte komplet i “pushtuar” nga valltarët e zënë dorë për dore me fëmijë e nxënës të shkollës së bashku me mësuesen e tyre Shpresa Popaj.
Ndërsa pjesa e mbylljes së kësaj feste argëtuese ishte paksa edhe e vështirë për stafin e kësaj shoqate, të cilët kishin përgatitur në shesh një drekë të larmishme me ushqimet tona tradicionale. Përshëndetjet dhe fotografitë në grup pranë shtatores së Nënë Terezës, do të mbeten gjithmonë kujtime të cilat do të na lidhin me jetën dhe veprën e së madhërishmes Gonxhe Bojaxhiu.
Nga Petrit R Aliaj. / Diaspora Shqiptare / KultPlush.com