24 Prill, 2025 - 10:28 am
Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare (JKN) ka nisur Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut. Ajo u çel me koncertin “Eyes to the Future”, një koncert novator që solli një bashkim të veçantë mes pianos klasike, pianos elektrike dhe energjinë unike të një DJ.
Titulli i koncertit mban një simbolikë domethënëse, duke reflektuar optimizmin dhe shpresën e popullit të Maqedonisë së Veriut për një të ardhme të ndritur.
Pianistja maqedonase Ema Popivoda dhe DJ-ja shqiptare Rea Lemnusha sollën, në Katedralen Ortodokse në Tiranë, një bashkëpunim të rrallë artistik që mishëron shpresën, optimizmin dhe vizionin për një të ardhme kulturore europiane dhe globale.
Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut synoi sjelljen e një përvoje që nuk ka të ngjashme, ku tradita takon inovacionin, dhe muzika bëhet urë mes dy vendeve, dy kulturave dhe shumë zemrave.
Të tjera aktivitete priten në kuadër të JKN gjatë këtyre ditëve. Java e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë deri më 30 prill, ku mes të tjerash do të ketë ekspozita, promovim të verës maqedonase si dhe shfaqje teatrale./atsh/KultPlus.com