14 Tetor, 2024 - 4:27 pm
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqi në fundjavë dramën “Koncerti”, me regji e dramatizim nga Giacomo Pedini.
“Koncerti” bazohet mbi romanin “Një engjëll veshë me frak” i autorit Stefan Çapaliku.
Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë. Evropa është e ndarë në dy blloqe politiko-ideologjike. Në Shqipërinë e dominuar nga Enver Hoxha, një burrë bie nga ballkoni dhe vdes. Në diktaturë “nuk ka” vetëvrasje. Kush ishte ky kompozitor i quajtur Pol Gjakova? Çfarë do të thotë të jesh kompozitor në diktaturë? Të kompozosh çfarë dhe për kë në Shqipërinë e viteve ‘50, apo sot në Evropë?
Mbi këto pyetje zhvillohet drama “Koncerti”, që erdhi si produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Tiranë.
Në shfaqje interpretuan aktorët Helidon Fino, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Matia Llupa dhe Ismail Shino./atsh/KultPlus.com