Konferenca IX Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të zhvillohet në Kalabri

22 Janar, 2025 - 6:54 pm

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëri të ditur se, Konferenca IX Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të mbahet në Shën Mitër, në Arbërinë kalabreze.

Konferenca e 9-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të organizohet më 13-17 qershor 2025, në një epiqendër të shqiptarisë, siç është Shën Mitri (San Demetrio Corone), në Kalabri të Italisë. DPA ftoi të gjithë studiuesit dhe interesuarit për të aplikuar për kumtesa. Konferenca do të bashkorganizohet nga DPA, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Komuna e Shën Mitrit.

Pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit dhe Elbasanit, Shën Mitri është ndalesa e radhës e kësaj konference periodike, që mbledh ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave nga mbarë trevat shqiptare, për të bashkëndarë rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar.

Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse, të arkivave të rajonit dhe jo vetëm, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme.

Një panel i veçantë në konferencë do t’i përkasë studiuesve të cilët do të paraqiten me tema që kanë të bëjnë me gjuhën, historinë dhe kulturën e arbëreshëve.

DPA është i vetmi institucion shtetëror shqiptar që ka prezencë fizike në arbëreshët e Italisë, nëpërmjet 12 Këndeve Arkivore të çelura në Sicili dhe në Kalabri./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme