Konferencë shkencore për 100-vjetorin e Republikës Parlamentare Shqiptare

18 Mars, 2025 - 11:52 am

Akademikë e studiues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë morën pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare: “100 vjet nga Republika Parlamentare Shqiptare (1925-2025)”.

Konferenca shkencore u zhvillua në Universitetin e Elbasanit. Në këtë veprimtari morën pjesë: akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj, akad. Beqir Meta; akad. Marenglen Verli dhe prof.dr. Ledia Dushku. Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të instituteve, pjesë e ASHSH-së.

Gjatë zhvillimit të kësaj konference, historianë, akademikë dhe studiues paraqitën hulumtimet shkencore mbi bazën e qasjeve të reja për rrugën drejt konsolidimit të regjimit republikan, organizmit të institucioneve, marrëdhënieve ndërkombëtare e më gjerë.

Punimet shkencore u përqendruan në zhvillimet historike, politike dhe sociale të kësaj faze të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar.

Akad. emeritus Shkurtaj vuri në dukje etapat kryesore të udhëtimit 100-vjeçar të Republikës Parlamentare. Akad. Beqir Meta mbajti një kumtesë për tiparet e regjimit republikan nga vitet 1925-1928 në raportet e diplomatëve britanikë.

Akad. Marenglen Verli mbajti një kumtesë për irredentizmin dhe shtetin shqiptar në vitet 1925-1928. Prof.dr. Ledia Dushku bëri një analizë historike mbi përzgjedhjen e kryeqytetit gjatë viteve 1912-1925./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme