21 Prill, 2025 - 10:48 pm
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Kongresi Amerikan ka paraqitur Rezolutën 26 – një zë i fuqishëm kundër krimeve të dhunës seksuale në Kosovë.
“Një betejë e gjatë, e dhimbshme dhe e heshtur që më në fund po merr vëmendjen që meriton. Mirënjohje për Vasfije Krasniqi Goodman – simbol i guximit – dhe Vera Mjeku për përkushtimin dhe zërin e palodhur në këtë rrugëtim drejt së vërtetës. Kjo rezolutë sjell shpresë për çdo të mbijetuar që ka pritur drejtësi për vite me radhë. Shyrete Tahiri Ramadan Nishori”, thuhet në njoftimin e qendrës.
Një ndër të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë, Vasfije Krasniqi – Goodman është shprehur se ky është një hap i rëndësishëm në luftën tonë për drejtësi.
“Anëtarë të Kongresit Amerikan Demokrat dhe Republikanë kryesuar nga Kongresistët Julie Johnson, Keith Self, Ritchie Torres, Jim McGovern, Marc Veasey, Alexandra Ocasio-Cortez, George Latimer, Mike Lawler, dhe Ilhan Omar paraqitën në Kongresin Amerikan Rezolutën 26 që bën thirrje për drejtësi dhe që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së krimeve të dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë në rastin tim dhe gjithë të mbijetuarve të tjerë”, shkruan ajo.
Tutje, Krasniqi – Goodman është shprehur falënderuese ndaj Vera Mjekut, bashkëhartuese e rezolutës dhe promotore e përpjekjeve tona për mbështetje në Kongresin Amerikan dhe gjithë atyre që na kanë përkrahur dhe vazhdojnë të na përkrahin që rezoluta të paraqitet në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe gjithë Kongresin./KultPlus.com