4 Shtator, 2024 - 11:09 am
Muzeu Historik Kombëtar dhe Bashkia Elbasan organizuan diten e djeshme një ekspozitë të veçantë fotografike dhe dokumentare me titull “Kongresi i arsimit mbarëkombëtar shqiptar”, në nder të 115-vjetorit të Kongresit të Elbasanit dhe hapjes së Shkollës Normale.
Ekspozita paraqet rrugëtimin historik të shkrimit të gjuhës shqipe dhe momente kyçe nga Kongresi i Elbasanit, si dhe nga Shkolla Normale, e para shkollë kombëtare e hapur në këtë qytet.
Ekspozita u çel pranë godinës ku u mbajt Kongresi i Elbasanit. Të pranishmit përjetuan një udhëtim historik dhe mësuan më shumë rreth trashëgimisë sonë kulturore.
Ekspozita është përgatitur me kujdes nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Arkivin Digjital të Elbasanit.
Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja, rektorja e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elvira Fetahu, deputetë, etj. Kongresi i Elbasanit pati rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me shkolla shqipe./atsh/KultPlus.com