31 Janar, 2025 - 1:32 pm
Më 31 janar 1920 përfunduan punimet e Kongresit të Lushnjës, i konsideruar si nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar.
Teksa Shqipëria kanosej nga copëtimi territorial pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, dhjetëra përfaqësues nga mbarë trojet, u mblodhën më 21 janar të vitit 1920 në Lushnjë, për të mbajtur një kongres kombëtar.
Në kushtet e një tkurrje të mundshme territoriale, Kongresi i Lushnjës tentoi të siguronte dinjitetin dhe rimëkëmbjen e shtetit shqiptar. Me detyrën e kryetarit të kongresit ishte caktuar Aqif Biçakçiu, Sotir Peci ishte nënkryetar, ndërsa Kostaq Kota e Ferid Vokopola mbanin funksionin e sekretarëve.
Krahas krijimit të qeverisë së re, në kongres u diskutua për një notë proteste ndaj qëndrimit të Konferencës së Paqes në Paris, mbi kufijtë e Shqipërisë. Në mbyllje të punimeve Kongresi i Lushnjës miratoi një akt kushtetues në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar.
Në ditën e fundit të punimeve, Kongresi emëroi kabinetin e qeverisë, me kryeministër Sulejman Delvinën, si dhe zgjodhi anëtarët e Senatit.
Në kongres ishin pjesëmarrës figura të shquara si Aqif Pashë Elbasani, Shefqet Daiu, Ahmet Zogolli dhe Mytezim Këlliçi.
Kongresi zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar./atsh/KultPlus.com