20 Nëntor, 2024 - 6:00 pm
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, aktivitetin me temë: “Kongresi i Manastirit dhe identiteti gjuhësor”. Aktiviteti, ku e pranishme ishte drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, gjuhëtari Xhevat Lloshi dhe dekania prof. dr. Esmeralda Kromidha, u zhvillua në kuadër të ditës së njësimit të alfabetit shqip.
Aktiviteti solli në kujtesë historinë e njësimit të gjuhës shqipe, alfabetit, etj.
Në sallën “Evropa”, ishin të pranishëm studiues të gjuhës, gjuhëtarë dhe studentë.
Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14-22 nëntor 1908, mbi çështjen e ndërlikuar të alfabetit shqip, nën kryesinë e Mid’hat Frashërit, me nënkryetar Gjerasim Qiriasin e me sekretar Luigj Gurakuqin.
Më 22 nëntor 1908 i përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, duke miratuar alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”. Ky Kongres përbën një nga ngjarjet më madhore të historisë së kulturës shqiptare, që tashmë njihet zyrtarisht si Dita e Alfabetit./atsh/KultPlus.com