19 Dhjetor, 2024 - 11:31 am
Duke nisur nga dhjetori i vitit 1918 deri në janar të 1920-ës u zhvilluan një sërë kongresesh e takimesh që kishin synim rimëkëmbjen e vendit nga pasojat e Luftës së Parë Botërore. I pari mes tyre, ishte Kongresi i Tiranës, më 19 dhjetor të vitit 1918.
Ky Kongres u zhvillua në vazhdën e veprimeve për organizimin e një kongresi mbarëkombëtar, për të arritur konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Të gjitha zhvillimet çuan në organizimin e Kongresit të Lushnjes, më 28-31 janar 1920.
Në organizimin e Kongresit të Tiranës, një rol të rëndësishëm luajti ish-nënprefekti Rauf Fico si dhe njëri prej firmëtarëve të Pavarësisë, Abdi Toptani.
Në mbledhjen e mbajtur në zyrën e Rauf Ficos, më 7 dhjetor 1918, ku mernin pjesë Sotir Peçi, Abdyl Ypi, Ismail Ndroqi, Mytesim Këlliçi, Sinan Hoxha, Myslim Beshiri dhe Rauf Fico, u vendos që të thirreshin qarqet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës, Mat, Dibër, për të biseduar për bashkimin e këtyre viseve./ KultPlus.com