2 Maj, 2021 - 4:57 pm
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe tek varrezat e të rënëve nga masakra e Studimes së Vushtrrisë.
Ai ka thënë se Masakra e Studimes është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin shqiptar të Kosovës.
“116 shqiptarë janë vrarë prej forcave të Serbisë duke mos i kursyer as fëmijët, as gratë dhe as pleqtë, që tregon se qëllimi i qartë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës. Kjo u bë duke e dëbuar shumicën prej Kosovës, një pjesë të madhe duke i vrarë e duke i masakruar për të shkaktuar tmerr mbi popullin e Kosovës, që në fund të serbizohej Kosova dhe të spastrohej etnikisht”.
“Ne përveç se e kemi pikëllimin që i kemi humbur më të dashurit tanë, po ashtu edhe një pjesë e madhe e popullit të Kosovës e ka edhe zemërimin për shkak që nuk ka pasur drejtësi këto 22 vjet për këtë gjenocid, që e ka përjetuar edhe populli i Studimes, i Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës”, ka thënë Konjufca./klan/ KultPlus.com