15 Shtator, 2022 - 12:14 pm
Mbrëmë në ambientet e Kino Armatës është shfaqur filmi i suksesshëm nga Kosova “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit, shkruan KultPlus.
Për ta parë nga afër këtë film ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ky i fundit reagoi në rrjete sociale, duke thënë se kinematografia e Kosovës po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.
Postimi i plotë:
“Mbrëmë kisha kënaqësinë që së bashku me Kryeministrin z.Albin Kurti dhe Shefin e stafit z.Ilir Kërçeli të kaloj ca çaste të këndshme artistike me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores së mirënjohur Luana Bajrami.
Kinematografia jonë po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.
“Luaneshat e Kodrës” ishte filmi i parë kosovar i cili u shfaq në Festivalin e Kanës. Në edicionin e vitit 2021 ai ishte pjesë e programit Directors.
Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme, e cila shpresoj që nuk do t’iu mungojë”, thuhet në postimin e Konjufcës. /KultPlus.com