24 Tetor, 2023 - 7:56 pm
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, e ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë Qemal Minxhozi.
Konjufca e falënderoi Minxhozin, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për nivelin e lartë diplomatik të cilin e instaloi, me bindjen se do të jetë shembulli me të cilin do të krahasohet çdo iniciativë dhe përpjekje e ardhshme ndërshtetërore, për vitet që do të vijnë.
“Vlerësojmë lart angazhimin tuaj në gjithë këto vite në shërbim të interesit të popullit tonë, duke punuar me devotshmëri për afrimin e vazhdueshëm të raporteve mes institucioneve të dy shteteve tona, në të mirë të qytetarëve dhe aspiratave tona të përbashkëta”, tha Konjufca.
Në anën tjetër, Minxhozi falënderoi Konjufcën për pritjen e ngrohtë dhe potencoi rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve.
Ata u pajtuan se marrëdhëniet e shteteve tona vëllazërore duhet të jenë të prioritetit më të lartë dhe të një niveli të padiskutueshëm, përbrenda aspiratës së interesave dhe qëllimeve të kombit tonë.