23 Shtator, 2022 - 4:30 pm
Bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit organizon konkursin letrar për çmimet “At Gjergj Fishta” 2022.
Çmimet në këtë konkurs do të ndahen për romanin më të mirë, librin më të mirë poetik dhe veprën më të mirë studimore për letërsinë, me prioritet për veprat studimore kushtuar veprës a figurës së At Gjergj Fishtës.
Veprat letrare duhet të jenë botime të vitit 2022, të botuara dhe jo dorëshkrime.
Në këtë konkurs mund të marrin pjesë të gjithë autorët të cilët e kanë shkruar veprën e tyre në gjuhën shqipe. Po ashtu, për t’u bërë pjesë e konkursit ftohen edhe autorët që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera.
Juria e këtij konkursi përbëhet nga Stefan Çapaliku – shkrimtar, studiues; Suela Bala – studiuese, redaktore; Ndue Deda – shkrimtar, studiues.
Ndarja e çmimeve do të bëhet në 23 tetor, gjatë aktivitetit të organizuar nga Bashkia Lezhë, ndërsa afati i dorëzimit të librave është data 17 tetor./ atsh/ KultPlus.com