Konkursi i QSPA-së që synon mbrojtjen e arbërishtes nga zhdukja

21 Shkurt, 2025 - 5:30 pm

Në “Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare”, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) shpalli edicionin e dytë të konkursit “Krenarbëria: Poezi arbëreshe”.

Konkursi i ketij viti ka temen: “Pa të kaluarën, s’ka të tashme – Pa arbërishten nuk ka arbëreshë”.

Qëllimi i këtij konkursi, është mbështetja e krijimtarisë artistike të të rinjve arbëreshë në fushën e poezisë me objekt vetë botën arbëreshe, duke nxitur dygjuhësinë si mjet shprehës, por edhe si element frymëzimi për paraqitjen e historisë, jetës dhe të aspekteve të ndryshme të trashëgimisë arbërore.

Në këtë konkurs mund të marrin pjesë poetë të grupmoshës 18-45 vjeç, me origjinë arbëreshe ose që i përkasin komunitetit arbëresh. QSPA i ftoi të dërgojnë krijimet e tyre të gjinisë së poezisë, brenda datës 21 maj 2025.

Tema e këtij edicioni vjen si rezultat i rrezikut që i kanoset arbërishtes në ditët e sotme, përballë sfidave të globalizmit, ku gjithnjë e më tepër po bie numri i fëmijëve dhe i të rinjve që e mësojnë dhe trashëgojnë këtë gjuhë.

Përballë kësaj situate, kanë reaguar edhe studiuesit ndërkombëtarë, duke e përfshirë arbërishten në Atlasin e gjuhëve në proces zhdukjeje (te UNESCO-s) dhe duke e përcaktuar atë si “gjuhë përfundimisht në rrezik”.

Me anë të konkursit të sivjetmë, QSPA synon të kthejë vëmendjen e të rinjve arbëreshë në këtë pasuri të çmuar identitare, të trashëguar prej gati 600 vjetësh ndër breza. Shpallja e fituesve do të bëhet më 30 maj, ndërsa ceremonia e dhënies së çmimit do të mbahet në fillim të muajit qershor./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme