3 Maj, 2023 - 5:00 pm
Drejtoria për të Drejtat e Autorit pranë Ministrisë së Kulturës dhe projekti ALSIP organizoi sot një seminar me ekspertë ndërkombëtarë të fushës së komunikimit e teknologjisë si dhe grupe interesi, për t’u njohur me direktivat dhe orientimet e Bashkimit Europian për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së dhe ngritjen e mekanizmave rregullatore.
Zhvillimet teknologjike, zgjerimi i mediumeve të komunikimit kanë sjellë me vete përveç lehtësirave të jashtëzakonshme edhe problematika të reja. Bashkë me shpejtësinë e komunikimit, të përçimit të informacionit, popullarizimit të krijimtarisë artistike, janë shtuar edhe mundësitë e shkeljes së të drejtave të autorit.
Pikërisht për të shqyrtuar mundësitë e zgjidhjes së këtyre problematikave, u mbajt ky takim, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Ky është një hap i parë që do të pasohet me të tjera konsultime dhe iniciativa që do të na çojnë drejt minimizimit të impaktit negativ që “liria” digjitale ka për krijimtarinë artistike dhe pronësinë intelektuale”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com