Kontributi i akademikut Shaban Demiraj në transkiptin e “Gjellës së Shën Mërisë”

30 Gusht, 2024 - 3:54 pm

Në artikullin e mëposhtëm të profesor Bardhosh Gaçes publikohen të dhëna në lidhje me kontributin Shaban Demiraj për transkuptimin e veprës së Jul Varibobës “Gjella e Shën Mërisë”.

Gaçe thekson se “Akademiku ynë i çmuar Shaban Demiraj, krahas studimeve gjuhësore, ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe në studimet letrare. Ky talent i veçantë i Akademik Shaban Demiraj, u shfaq qysh në vitet ’60 të shk. XX e vijoi edhe kohë më pas me pajisjen me shënime të veçanta të veprave të Naim Frashërit: “Lulet e Verësë”, “Bagëti e Bujqësia”, të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, Gavril Dara i Riu “Kënga e Sprasme e Balës”, si dhe një varg veprash të tjera të Pjetër Bogdanit, Lekë Matrëngës, Frang Bardhit etj. Në këtë sfond zënë vend edhe studimet e Shaban Demirajt mbi Jul Varibobën dhe veprën e tij, botuar së pari në Buletinin e Universitetit të Tiranës 1958/1 dhe “Nëntorit” 1962/9”.

Ndërsa studimi mbi veprën e Varibobës është botuar vitin e shkuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me titullin: “Jul Variboba në trashëgiminë e tij”, për të cilën në plotësime  dhe vërejtje kritike është kujdesur djali i profesorit, linguisti Bardhyl Demiraj. Vepra e Varibobës, vazhdon të mbetet e rëndësishme dhe e nevojshme për t’u studiuar.

Përmes saj (veprës) kuptohet raporti i italishtes me shqipen e mbartur në nivelet e veta nga arbëreshët në vitin 1762, si dhe qëndrimet ndaj gjuhës, besimit, çështje të tjera të identitetit dhe etnopsikologjik të një prifti shqiptar, pastaj profili i tij si krijues etj.. “Variboba nuk mund të anashkalohet, pasi vepra e tij “Gjella e Shën Mëriss Virgjër” është një “kronikë” dhe një pamje të gjerë në të cilën plekset psikologjia, filozofia e besimit, mjedisi  i fshatit arbëresh Mbusati (pasi në të ka një lloj vendosje të “ngjarjeve”). Në këto rrethana, që në krye të herës është e rëndësishme të kihet një njohje e qëndrueshme për veprën, gjuhën me të cilën ajo u shkrua, rrethanat në të cilat u shkrua dhe u botua”, shkruan profesor Gaçe.

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

(Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Akademikut Shaban Demiraj)

Për fatin e mirë, të atyre që e ruajtën, që e njohën, që shkruajtën për të, qoftë edhe kur e lavdëruan, qoftë kur e kritikuan, “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” është një vepër e rëndësisë së jashtëzakonshme, duke qenë si “relikt”, edhe pse ajo është një vepër, e cila është shtjelluar nga kritika që herët, është komentuar nga studiuesit dhe ka bërë goxha rrugë të rëndësishme dhe në punimet dhe këndvështrimet e gjuhësisë shqipe me konceptime historike – krahasuese, në studime të natyrës dialektologjike, gjuhësore, fonologjike, leksikore.

Ajo ka kaluar një objeksion të madh kritik nga të gjitha pamjet, për të kanë folur dhe shkruar njerëz të dijeve historike, sociale, të besimit fetar dhe të kulturës popullore.

I përfshirë në një debat të vazhdueshëm studiuesish dhe kritikësh arbëreshë shqiptarë dhe të huaj, Variboba i ka dhënë një argument të rëndësishëm letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare, duke u konsideruar si njëri nga autorët e parë të letërsisë arbëreshe që ka shkruar një vepër letrare në gjuhën shqipe.

Akademiku ynë i çmuar Shaban Demiraj, krahas studimeve gjuhësore, ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe në studimet letrare. Ky talent i veçantë i Akademik Shaban Demiraj, u shfaq qysh në vitet ’60 të shk. XX e vijoi edhe kohë më pas me pajisjen me shënime të veçanta të veprave të N. Frashërit: “Lulet e Verësë”, “Bagëti e Bujqësia”, të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhetë”, Gavril Dara i Riu “Kënga e Sprasme e Balës”, si dhe një varg veprash të tjera të Pjetër Bogdanit, Lekë Matrëngës, Frang Bardhit etj. Në këtë sfond zënë vend edhe studimet e Shaban Demirajt mbi Jul Varibobën dhe veprën e tij, botuar së pari në Buletinin e Universitetit të Tiranës 1958/1 dhe “Nëntorit” 1962/9.

Në një këndvështrim shkencor, prej kritiku, studiuesi dhe linguisti, Variboba me veprën e tij “Gjella e Shën Mëriss Virgjër” vjen përmes veprës postume të prof. Shaban Demirajt, të titulluar  “Jul Variboba në trashëgiminë e tij”, botuar në kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2019, për të cilën në plotësime  dhe vërejtje kritike është kujdesur  linguisti Bardhyl Demiraj. Në mendimin kritik, mendojmë se libri në fjalë është i plotë për shkakun e një këndvështrimi të hollë nga shkencëtari i njohur i gjuhës, i cili ka arritur të depërtojë në anatominë e veprës së autorit, duke prekur edhe pjesën më të debatueshme dhe të mistershme të autorit dhe veprës së tij.

Vepra e Varibobës, pavarësisht kohës dhe qëndrimeve kritike, që kanë mbajtur ndaj saj  dhe ndaj tij, të studiuesve arbëreshë, ajo vazhdon të mbetet e rëndësishme dhe e nevojshme për t’u studiuar.  Sado mangësi e qortime përmbajtjesore apo të formës që mund të evidentohen në veprën e tij, ai dhe vepra e tij është “objekt”, një tekst i shkruar, i cili është kthyer në një arkiv i rëndësishëm për ta lexuar qoftë si vepër letrare, si dokument që ka brenda vetes një prerje të caktuar historike, po ashtu përmes saj (veprës) kuptohet raporti i italishtes me shqipen e mbartur në nivelet e veta nga arbëreshët në vitin 1762, si dhe qëndrimet ndaj gjuhës, besimit, çështje të tjera të identitetit dhe etnopsikologjik të një prifti shqiptar, pastaj profili i tij si krijues etj.

Variboba nuk mund të anashkalohet, pasi vepra e tij “Gjella e Shën Mëriss Virgjër” është një “kronikë” dhe një pamje të gjerë në të cilën plekset psikologjia, filozofia e besimit, mjedisi  i fshatit arbëresh Mbusati (pasi në të ka një lloj vendosje të “ngjarjeve”). Në këto rrethana, që në krye të herës është e rëndësishme të kihet një njohje e qëndrueshme për veprën, gjuhën me të cilën ajo u shkrua, rrethanat në të cilat u shkrua dhe u botua. Botimi në një format të tillë, me një këndvështrim të gjerë, dhe ajo që është më i rëndësishëm, problemi gjuhësor nga prof.. Demiraj, krijon një dimension dhe një këndvështrim më bazik për veprën dhe autorin, e cila do vazhdojë të mbetet objekt studimi jo vetëm nga dijet gjuhësore, por edhe nga fushat e tjera të studimit.

Me daljen në dritë të veprimtarisë së tij letrare studiuesit referojnë një çast delikat të arbëreshëve të Italisë, pasi është momenti kur kuptojnë se ata nuk do të mund të kthehen në atdheun e tyre ku lindën të parët e tyre, të cilët për disa shekuj i kënduan me peng dhe dashuri, me mall dhe me krenari. Si të tillë, ata duhet të vazhdojnë t’i rrëfejnë “ati birit dhe biri nipit”, pasi epoka e “Motit të Madh” do të mbetet e përjetshme për shkak të mesazhit universal që i përcillte jo vetëm shqiptarëve, por vetë njerëzimit. Variboba lindi dhe kontribuoi në një moment vërtetë delikat dhe të dhimbshëm për kujtesën e arbëreshëve, të cilët kishin arritur në një çast ku ndjenja nacionale e tyre (për shumë arsye) ishte zbehur jo pak, pasi kishte disa shekuj që ata rrethoheshin nga një mjedis, zakone, gjuhë dhe kulturë e huaj. Ndër ta kishte mbetur vetëm besimi që kishin marrë më vete dhe që përpiqeshin ta ruanin.

Në kulturën arbëreshe të komunikimit që në momentin kur ata u larguan nga Arbëria kishte pasur një krijimtari të gjerë poetike të poezisë popullore, por dhe të gjithë korpusit kulturologjik dhe etnologjik që ajo kishte brenda. Kultura poetike popullore, ashtu si edhe besimi, përbënin një veprimtari, e cila kishte mjaftuar të krijonte një fondament të rëndësishëm për brezat që ata të kishin mundësinë të ndjeheshin arbëresh, të mishëroheshin sa ishte e mundshme në traditën folklorike, kulturore popullore, të zakoneve dhe të besimit të tyre. Por tashmë, në kohën e Varibobës, vendin e këngëve me karakter kombëtar kishin filluar ta zinin krijimet me karakter fetar, që imitonte poezinë italiane të kohës. Këtë karakter patën dhe krijimet e Varibobës, emri i të cilit u rrit shpejt dhe krijimtaria e tij filloi të këndohej nga njerëzit, pra këngët fetare të tij.

Variboba është një nga krijuesit e parë të veprës letrare shqipe me një farë vlere artistike. Atë e kanë konsideruar kritikë dhe studiues të njohur të mendimit letrarë arbëreshë dhe shqiptar si Zef Skiro, Markianoi, De Rada, Albert Stratikoi dhe të tjerë, por pavarësisht kësaj për jetën e Varibobës ka mjegull të konsiderueshme. Kozenca ku ka lindur Variboba është një nga qendrat e mëdha ku arbëreshët kanë përcjellë trashëgiminë e tyre kulturore dhe etnologjike arbëreshe, me një lidhje të fortë nga vendi nga kishin ardhur. Për Mbusatin e Varibobës mendohet se ka origjinën nga familja Buza, një toponim që familja i ka dhënë emrin e vet vendit, siç ka ndodhur dhe me vendbanimin Gropa në Palermo, ku identifikohet themeluesi i saj familja Gropa.

Në Mbusat arbëreshët kanë ruajtur origjinën e të folurit toskërisht, por nuk mungon dhe tradita apo elementë të të folurit nga arbëresh të shpërngulur nga Shkodra dhe Dibra, të cilët kanë nuancat e të folurës së tyre të ruajtura në komunikim, siç flet dhe tregon Markianoi. Mbusati shquhet për ruajtje e traditës arbëreshe. Variboba tregohet se ishte i biri i një prifti, një edukatë të cilën siç duket e mori dhe ai që në fëmijëri, pasi siç dëshmojnë biografët, ai që në fëmijëri kishte ushqyer një dashuri të madhe në veçanti për Shën Mërinë, një devotshmëri që ai e tregoi gjatë gjithë jetës në përgjithësi për besimin fetar.

Variboba që në fillim ka shërbyer si prift në fshatin e tij, themeloi një Kuvend murgeshash, i quajtur “Bijat e Marijes”, çka u bë shkak për ta akuzuar se ai kishte mëkatuar me njërën nga këto, kështu që ai u dërgua në mërgim në Romë si ndëshkim. Në Romë Varibona, sipas Stratikoit është nderuar, ai ishte i ditur dhe shumë i sjellshëm. Te Variboba shquan shpirti i tij fetarë, i trashëguar nga familja, raporti që ai kishte vendosur me figurën më të dashur biblike për njerëzimin Shën Mërinë e virgjër është një nga referimet e kësaj të dhëne. Si një fetar i bindur Variboba nuk dallonte për ndjenja patriotike. Atij thuhet se nuk i pëlqenin mallkimet e rënda që kishte gjuha arbëreshe, të cilat i kishte dëgjuar që në fëmijërinë e tij të hershme, çka tregon se si ishte formuar shpirti dhe ndjesia e tij për njerëzit dhe botën që e rrethonte.

Që në hershmëri, ndoshta që në kohën kur në Kuvendin e Vajzave të fshatit të tij, raporti i tij me arbëreshët nuk ishte i mirë. Atij nuk i pëlqen tradita se si arbëreshët tallen me tjetrin. Studiuesit e tij tregojnë se ai ishte i ditur dhe i kulturuar për kohën. Përmes asaj që na ka ardhur deri në ditët tona, veçanërisht përmes veprës  së njohur poetike “Gjella ë Shën Mërisë së Virgjër”, duke qenë një vepër, e cila lexohet, studiohet dhe interpretohet shumëplanësh, mund të kuptohet lehtësisht se Variboba kishte dell poetik, dhe se përvoja poetike e tij ishte e hershme, siç njofton në studimet e tij Zef Skiroi. Poezia e tij ka qenë gjatë gjithë kohës me prirje fetare.

Prof. Shaban Demiraj ka sjell një këndvështrim origjinal në analizën e të gjithë veprës, që nga rrethanat si u shkrua dhe u botua vepra, brendia, ndërtimi, komunikimi që vepra realizon përmes përmbajtjes së vjershave,  qëndrimin e Varibobës për dukuritë dhe fenomenet njerëzore, të para përmes figurave biblike, analizës së veprës dhe specifika gjuhësore e të shkruarit të “Gjellës së Shën Mërisë së Virgjër”. Është një kontribut i çmuar dhe kompleks, mënyra se si Demiraj i ka propozuar lexuesit dhe studiuesit për ta lexuar dhe interpretuar këtë vepër të parë të letërsisë nga Variboba.

“Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” për herë të parë u botua në vitin 1762, pati dhe botime të tjera, por sipas prof, Shaban Demirajt, botuesi i tij, prof. Librandi ka vënë dorë në veprën e tij, d.m.th nuk i ka qëndruar besnik origjinalit, duke i hequr një element të rëndësishëm asaj. Vepra ka 42 vjersha , ku shquajnë “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” dhe “Gjella e Shën Bambinit”, poezi të gjata, afër poemës, të cilat marrin shumë rëndësi në vepër. Autorin Jul Variboba për ta shkruar librin e ka frymëzuar lutja dhe besimi, që libri “t’i pëlqejë Shën Mërisë”, lutet Variboba.

Poema “Gjella e Shën Mërisë…” është e gjatë, ajo ka 131 strofa, në të cilën flitet për jetën e Shën Marisë  dhe lindjen e Krishtit. Në libër ka poezi të tilla si “Kalimera e Natalevet”, “Bën ca kuçe e bën nino”, “Kënga e të zgjuarit”, “Nj’atër këk”, këngë të bukura lirike që qerthullojnë gëzimin nga të gjithë për lindjen e Krishtit. Në këto këngë shquan ndjesia hyjnore prej nëne e Marisë, e cila i këndon ninullat Krishtit, por edhe Josifit, barinjve dhe bareshave në një mjedis magjepsës lirik dhe baritorë arbëresh.

Në libër dallojnë poezi të tjera si “Docttrina Cristiana”, “Credo”, ku flitet për doktrinën e krishterë, ndërsa në poezi të tjera si “Miserere Mei Deus”, “Kënk Spiritual”, Pater Noster”, “Veni Sancte Spiritus” dhe të tjera në të cilat flitet për lutjet drejtuar Zotit për të falur mëkatet. Poema “Gjella e Shën Bambinit” është e gjatë rreth 180 strofa, ku flitet për tri mbretërit magjistarë, mbi ndjekjet në Egjipt, mbi ndjekjet e Erodit, mbi largimin e Krishtit  me gjithë prindërit në Egjipt, mbi mrekullitë e Krishtit. Në poemë bien në sy mrekullitë që ndodhin.

Krahas shumë poezive të tjera, në libër shquajnë tri vjersha, ajo që flet për kthimin e Krishtit pas vdekjes tek e ëma dhe në fund vdekjen e saj; vjersha e dytë  këndon Shën Mërinë si një mbretëreshë që gëzon në qiell dhe vjersha e tretë, e cila titullohet “Shën Mëris Bonkuncilit” në të cilën përshkruhet ikja e mrekullueshme e Shën Mërisë nga Shkodra në Itali, në kohën  që turqit pushtuan qytetin. Në libër ka një cikël që Variboba ua ka kushtuar shenjtorëve të tillë si Shën Andonit, Shën Vinçencit, Shën Gjergjit, Shën Josifit. Vepra “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” është një përthyerje e plotë e jetës, vuajtjeve  dhe triumfit të Shën Mërisë  dhe të Krishtit në një mjedis arbëresh, pasi poeti duket se ka ndër sy Mbusatin e vet në të gjithë shëmbëllimet që ka sjellë përmes vjershave.

Vepra “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, ngjan me një vepër interesante, e shkruar si një raport dhe komunikim që personazhet e caktuar, kryesisht të zonës së epërme hyjnore me krijuesin, duke i dhënë pak a shumë veprës një subjekt lirik. Duke qenë personazhe të njohur të botës biblike dhe hyjnore, në këtë vepër rëndësi të veçantë ka qëndrimi dhe paraqitja e tyre që Variboba u bën atyre në një mjedis dhe përmes psikologjisë së një arbëreshi siç ai dhe ishte.

Spikasin në të gjithë veprën Shën Maria dhe Krishti, më pas vjen Josifi, i shoqi i ligjshëm i Marisë.  Variboba ka pasur një kujdes të madh për të ruajtur vërtetësinë biblike të tyre, ashtu  siç i ka sjellë dhe përshkruar Bibla. Po ashtu, në vepër lidhjet me emrat dhe personazhet biblik nuk janë të shkëputura siç janë dhe Elisabeta, Erodi, shenjtorët Andon, Gjergj, Kozma dhe Vinçenc, pastaj barinjtë, që siç duket në to ka vend dhe fantazia e autorit.

Shën Maria mbart gjithë “aksionin” rrëfyes, lirik dhe narrativ, e pastër, e devotshme, si nënë kur rrit dhe i këndon ninullat të birit Krishtit dhe si nënë me dhimbjen e madhe mbi kufomën e Krishtit. Variboba është përpjekur që hyjnoren Mari ta sjellë me tiparet njerëzore, veçmas në dhimbjen që ajo ka para kufomës së të birit, një dhimbje që të kujton pikëllimin e një nëne shqiptare për të birin e vet. Në këtë rast, pavarësisht mënyrës se si është studiuar dhe interpretuar vepra, Maria ngjan me një ndërmjetës mes Zotit dhe njerëzve në tokë, duke qenë në të vërtetë një personazh biblik hyjnor.

Krishti është një nga figurat e veprës, por nëse Maria, si nëna e Zotit ka diçka tokësore, kryesisht në misionin e nënën për të rritur një fëmijë, për t’u gëzuar dhe ndjerë dhimbje, Krishti zbulohet nga Variboba vetëm në anën e tij hyjnore. Natyrisht, ai është figura emblematike e të gjithë komunikimit dhe predikimit biblik për Zotin dhe besimin e krishterë. Figura përshkohet nga mrekullitë, që sjell kryqëzimi dhe ngjallja e tij (duke respektuar Ungjillin), ku gjenden momente të ndërhyrjes së elementëve të mbinatyrshëm, siç është ajo e engjëjve, të cilët kujdesen për ta shpëtuar atë nga thonjtë e Erodit, kthimi i fuçive me ujë në verë etj. Në vepër, raporti i Shën Mërisë me Krishtin janë ato lidhje që dikton krishterimi edhe në veprën e Varibobës, të cilat ai si njohës i mirë i krishterimit nuk i tejkalon, pavarësisht ku i vendos subjektet lirike të saj.

Profesor Shaban Demiraj i ka bërë një shërbim të shkëlqyer veprës së rëndësishme të letërsisë shqipe, pavarësisht nivelit të saj, të shkruar nga Jul Variboba, për shkakun e të qenit një gjuhëtar i cili njeh mirë dialektologjinë, fonetikën historike, gramatikën historike, leksikologjinë dhe zhvillimet e brendshme të gjuhës shqipe që nga lindja deri në ditët tona. Këndvështrimi i tij mbetet një referencë për burimet gjuhësore, që nga alfabeti, lidhjet dhe dallimet, shmangiet dhe ruajtja e elementëve të shqipes, si një gjuhë e pashkruar, por e mbartur nga arbëreshët në një kohë të vështirë, për të kuptuar shumë burime gjuhësore që ajo afron në optikën e studiuesit Demiraj.

Duke përdorur alfabetin latin, të cilat nuk i kanë mjaftuar Varibobës për të riprodhuar tingujt e shqipes për shumë arsye, Variboba ka përdorur kombinime shkronjash, të cilat kanë një tingull të ndryshëm nga alfabeti i sotëm shqip. Prof. Demiraj shquan 18 raste të përdorimit të shkronjave të ndryshme që nga z– për c (zilli- cili), c-për ç (cië- çë), përdorimi i shkronjës d pa dallim për d dhe dh, përdorimi i a– për ë. Për të shënuar tingullin g, ai i shton kësaj edhe një h (nëngh- nëng /nuk), por edhe raste e tingujve gj, k, k, l, ll, nj, s, x, xh, y, zh, çfarë tregon se Variboba ka një përdorim tingullor të gjerësishëm, i cili është objekt hulumtues në historinë evoluimin, fleksionit nëpër epokat e caktuara nëpër të cilat ka kaluar gjuha.

Në këndvështrimin e tij, prof. Demiraj vëren se botuesi i Varibobës, prof. Librandi nuk i është përmbajtur në transkriptimin e vjershave të autorit alfabetit që ai ka përdorur në të vërtetë. Siç dhe është dëshmuar pagabueshëm, Variboba vinte nga një familje toske dhe kishte jetuar në një mjedis toskësh, por sipas Librandit për fjalë të caktuara si e ëmbël, ësht, ë, këmb, etj ai i sjell si e ambël, asht, a, kamb etj. pra toskërishten e Varibobës e ka mbushur me trajta të gegërishtes, kur në gjuhën e Varibobës ka një toskërishte të qartë me ndonjë trajtë të rrallë të gegërishtes.

Sipas prof. Demirajt vepra e Varibobës është shkruar me një shqipe arkaike të dialekteve arbëreshe të Italisë, ku bien në sy barbarizmat greke (pasi ka të dhëna se në Mbusat, arbëreshët e ardhur vinin nga Morea, ku kishte mjaft arbëreshë që kishin ikur nga Shqipëria që herët dhe gjatë shpërnguljes së dytë erdhën në Itali, por edhe elementë të theksuara të gjuhës së kishës, ku në jo pak raste e bëjnë të pakuptueshme gjuhën e tij. Me të drejtë, Skiro mendon se Variboba kishte më shumë barbarizma se të gjithë shkrimtarët e tjerë arbëreshë për shkaqet që shënuam më lartë. Pavarësisht kësaj vështirësie, prof. Demiraj mendon se vepra e Varibobës është një pasuri e çmuar në fushën e studimeve gjuhësore, kryesisht të dialektologjisë, pasi ajo përbën një lëndë të rëndësishme  për të na treguar gjendjen e dialekteve të arbëreshëve në Itali, të cilët flisnin shqip dhe vinin nga një hapësirë e konsiderueshme e Arbërisë, por edhe në Itali gjendeshin po në një hapësirë të tillë, pasi dhe kontaktet me gjuhën italiane ishin jo të njëjta.

Në gjuhën e Varibobës gjenden shumë fjalë italiane, të cilat autori përpiqet  t’u japë karakteristikat e gjuhës shqipe, duke i zgjedhur si folje apo përdorur si mbiemra. Janë fjalë kryesisht të dialekteve të Kalabrisë së Poshtme, siç është fjala e llaudhartur- e lëvduar, fjalën theritar për plagët dhe fjalë të tjera. Në veprën e Varibobës janë përdorur dhe fjalë të shumta greke (lipsi- dhembshuri, unë ftesa- bëra faj, hardhi- gëzim etj), por edhe fjalë për të cilat prof. Demiraj thotë se nuk duhet nga i ka marrë autori. Variboba ka përdorur dhe turqizma (tavut- tabut, tomba- varr, çifari- djalli etj), fjalë për të cilat as studiuesit e Varibobës, as Librandi dhe as prof. Demiraj nuk japin ndonjë shpjegim të mundshëm, rrugën nga i ka marrë Variboba, aq më tepër që ai i ka përdorur në veprën e tij.

Variboba qe rritur në një mjedis arbëresh, i cili deri në kohën e tij kishte arritur të mbante një shpresë të madhe për tu kthyer në mëmëdhe, prandaj edhe sakrifica për ta ruajtur gjuhën shqipe ishte e madhe dhe e arsyeshme. Kjo sakrificë dhe këmbëngulje e arbëreshëve, në mjedisin dhe vendet ku Variboba ka jetuar dhe ka punuar, qoftë dhe ku e ka shkruar veprën, e shpjegon dhe prania e fjalëve shqipe në të, siç është fjala i hunduar- i hunduar (në kuptimin  i hidhëruar), për të cilën prof. Xhuvani thoshte se lidhet me fjalën hundë, me hundë të varura, i hidhëruar apo i dëshpëruar.

Prof. Demiraj gjen në veprën e Varibobës dhe fjalë të tjera shqipe të natyrës djemenat- pasnesër, diu- nuk dij, u bufua- u duk, u shfaq, menatet- të nesërmen dhe disa fjalë të tjera që gjejnë pasqyrim në gjuhën shqipe. Në elementë të tjerë të çështjeve gjuhësore, të cilat kanë rëndësi jo vetëm në leximin e veprës, por edhe në të dhënat gjuhësore që mbartin në vetvete, janë përdorimi i tingullit i/j, kthyer në j, fenomen që ‘elaborohet’ në disa situata dhe përdorime, por gjenden dhe fjalë që sot ende përdoren në gegnishte si bora – humba, ai bir – ai humbte, sund-s’mund, njëmend- tani; përdorimi i gjinisë asnjanëse të emrave të tillë si: valt – vajt, art-ari; përdorimi i rasës vendore dhe instrumentale, përdorimi i fjalëve sinkopë (kur të vei – kur të veni); përdorimi disa herë aoristin asigmatik (të dhee – të thashë, qeva – unë qeshë); përdorimi i trajtës  me –nj në të tashmen (meritonj, nderonjëm), përdorimi i përemrit vetorë unë në trajtën e shkurtuar u; trajta të tilla foljesh të thet – të thotë, të det – të dojë; përdorimi i përmerit të pakufijshëm tjatër, përdorimi me th dhe z dhe te mbiemrat krahas emrave (ballëthit, sizit – syzit, i ëmbëlith etj).

Duke qenë një burim i rëndësishëm dhe për  letërsinë, vepra e Vraibobës është përfshirë jo  pak dhe në mendimin kritik që nga koha e mëhershme dhe në vazhdim me mendimin e prof. Demirajt, i cili duket se e njeh mirë dhe kritikën, leximin sipas një mënyre mjaft origjinale të “Gjellës së Shën Mërisë së Virgjër”. Majeri mendon se vepra e Varibobës është një vepër klasike, ndoshta pse Variboba ruan raporte të drejta me figurat kryesore hyjnore si Maria dhe Krishti, sipas versionit të njohur të biblës. Ndërsa Elena Gjika e vlerëson për kohën kur u shkrua vepra, pasi nëpër vjershat e shkruara nga Variboba ndjehet jeta e gjallë shqiptare në një epikë të një frymëzimi të thjeshtë, d.m.th në veprën e Varibobës ajo mendon se ka jetë të shqiptarëve. Z. Skiroit i bëjnë përshtypje shumë fjalët italiane të pranishme në vjershat e Varibobës, ndërsa prof. Markianoi është vlerësues dhe emocional për këtë vepër, pasi Variboba ka arritur të fusë “gjithë shpirtin e zjarrtë në vepër”. Një mbështetës i rëndësishëm i veprës dhe punës së Varibobës është edhe prof. Startikoi, i cili  ka çmuar veprën, një vepër që e nderonte çdo literaturë të zhvilluar.

Profesor Demiraj ka një këndvështrim më të gjerësishëm për veprën e Varibobës, në analizën artistike që ai i ka bërë asaj. Vepra është krijuar me mbi dyzetë vjersha të Varibobës, në të cilat siç duket ka dhe një kohë –shtrirje të konsiderueshme, por siç vëren Demiraj, vepra nuk ka një unitet artistik, pasi qëllimi i Varibobës e anashkalon unitetin e veprës, pasi ai kërkon herë pas here t’i këndojë Shën Mërisë, Krishtit dhe shenjtorëve të kishës. Ndoshta atë unitet të konsiderueshëm në vepër mund ta gjejmë vetëm në këndvështrimin qe vepra ka lidhje të qëndrueshme rreth figurës së Marisë dhe hyjnitetit të saj. Vepra nuk ka arritur të jetë një poemë unike, pasi mungesa e unitetit artistik të saj, siç mund të kuptohet ka “shkatërruar” dhe dramacitetin letrar të saj, pasi në të gjithë kompleksin e saj ajo është një vepër me një subjekt lirik të kuptueshëm, në të lëvizin dhe veprojnë njerëz, ka ngjarje dhe subjekt. Stratikoi mendon se vepra e Varibobës është një poemë me origjinalitet, e freskët dhe me një spontanitet të rëndësishëm ndjenjash, ndaj ai thotë se Variboba shkroi ndryshe të tjerëve për një temë të tillë.

Prof. Demiraj nuk është aq mbështetës i mendimit të Stratikiot, pasi ai kërkon që vepra e Varibobës, lidhte me origjinalitetin e saj, duhet parë nga ana e brendisë dhe si ajo është paraqitur. Demiraj vëren se në veprën e Varibobës ka vjersha fetare italiane, të përkthyera ndoshta nga Variboba, të cilat ai i ka përfshirë në veprën  e tij. Një tjetër çështje thelbësore në veprën e Varibobës është paraqitja e figurës së Shën Marisë dhe e Krishtit, sa origjinale janë këto në trajtimin e Varibobës? Prof. Demiraj ka një dyshim serioz, dhe madje pyet, a është e vërtetë se trajtimi i Varibobës për këto dy figura biblike është e tij, pasi në literaturën e  Mesjetës, këto dy figura janë trajtuar dhe nga poetë të gjerë  në literaturën kritiane. Profesor Demiraj sjell në vëmendje krijimtari të kësaj natyre, d.m.th fetare kristiane, por edhe autorë ku ka trajtesa të plota lidhur me Shën Marinë dhe me Krishtin, por çelësi për të kuptuar a është ndikuar Variboba nga këto zgjidhet nëse autori i “Gjellës së Shën Marisë së Virgjër” e ka njohur atë literaturë të botuar para tij apo jo.

Vepra e Varibobës është ndërtuar mbi një qasje të shfaqur gjerësishëm të lirizmit, sa e bën të gjithë veprën një vepër lirike, veçanërisht në dy poemat “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” dhe poema “Gjella e Shën Bambinit”. Pamje të mrekullueshme dhe ndjesi të tilla autori sjell kur paraqet Marinë si nënë e devotshme, e dhimbshme dhe plot mirësi, e cila i këndon ninulla djalit të saj, barinjtë dhe bareshat, pastaj vajtimi i Marisë mbi kufomën  e birit të vrarë. Variboba ka “sendërtuar” një komunikim unik të tij më Shën Mërinë veçanërisht, ai i drejton asaj lutje të zjarrta, plot sentimentalizëm dhe i kërkon asaj që ta mëshirojë për mëkatet e tij, dhe si të tillë ai e quan atë “shpresë e bukur”, “nerënxe e ëmbël”, “parajsë”, “mall”, “dritë”, “pasqyrë” “më e bukura vajzë” , ku shfaqet hapur një sentimentalizëm jo i zakontë i poetit.

Një lirizëm të ngrohtë deri në adhurim shpaloset edhe në krijime të tjera të veprës si “Kalimera e Natalevet”, “Bën ca kuçë e bën nino”, “Kënga e te zgjuarit”, “Oj e bukura sperënz”, “Moj e bukura kopile”, “E keqe pen”, apo edhe në “Sa për ne Krishti duroi” etj. Kjo nevojë shpirtërore e Varibobës e ka bërë veprën një vepër lirike, komunikuese me mjedisin dhe njerëzit. Vepra në momente të caktuara, siç mendon prof. Demiraj, ka nota humori të lehtë, veçmas kur ai i drejtohet Shën Marisë. Po ashtu vepra ka një dëshmi interesante, që mund ta bëjnë vetëm poeetët, ajo duke qenë një vepër me një raport të rëndësishëm fondamental, hyjnor përmes dy figurave madhore biblike Shën Maria dhe Krishti, pa të cilët besimi autoritar kristian nuk mund të kuptohet, ka tentuar t’i japë veprës një kolorit lokal, Musatin ku ai ka lindur është rritur, por ndërkohë përmend edhe një emër të një fshati në Kalabri, fshatin Acri.

Vepra sjell dhe dëshmi të tjera të natyrës etnologjike. Në poemën “Gjella e Shën Bambinit” ka një moment kur flitet për vdekjen e  Josifit, e në këtë rast Variboba flet për disa nga zakonet e vdekjes, që ngjajnë me ato të arbëreshëve të Italisë. Pasazhet e Krishtit foshnjë janë vërtetë të mrekullueshme, brenda tyre ka një ndjesi dashurie dhe një lirizëm që e përshkon gjithë fëmijërinë e tij nën kujdesin e Marisë, barinjve dhe bareshave, mjedisi romantik por i thjeshtë ku ai po rritet, çka i ka mundësuar Varibobës të përdorë mjaft epitete, krahasime, metafora, pasi raporti që autori ka me këto figura të njohura hyjnore nuk mund të ndërtohet pa një sens artistik të mirë dhe shprehës.

Edhe pse, siç mund të kuptohet, Variboba nuk kishte një përgatitje të lartë artistike, ai ka arritur të ketë një sens të mirë të përdorimit artistik të mjeteve të komunikimit shpirtëror, të mjedisit dhe të elementëve njerëz e perëndi të veprës, për t’i parë përmes sensit artistik dhe estetik në përdorime të similitudave të vogla dhe të mëdha, por edhe të ndonjë hiperbola (një krua lot dhe Ahi! Ki dhulur shpon edhe gur! –kjo dhimbje shpon edhe gurin), por edhe mjaft figura të tjera artistike që mund të zbulohen në një lexim artistik dhe interpretues të mjeteve artistike që autori ka përdorur.

Variboba nuk ka një përdorim aq strikt të vargut, por siç vëren De Rada, ai ka përdorur rimën në vargjet e tij, siç ishte e traditës në Itali, duke iu përshtatur metrikës së poezisë italiane të kësaj kohe. Variboba ka përdorur vargje të një metri të ndryshëm në veprën “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, që nga pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë rrokësh të dyzuar, njëmbëdhjetë rrokësh dhe katërmbëdhjetë rrokës të dyzuar në dy shtatë rrokësh, duke treguar edhe kohën në të cilën është shtrirë shkrimi veprës. Në vargjet e dyzuara bie në sy prania e një rime të brendshme, ku mbizotëron një rime  puthur dhe e alternuar.

Studimi që na ka afruar profesor Shaban Demiraj është një mundësi e madhe për një lexim ndryshe afër realitetit të Varibobës dhe njërës nga veprat më të rëndësishme të historisë së letërsisë arbëreshe dhe asaj shqipe. Kalimi i leximit të saj përmes një mjeshtri dhe njohësi autoritar të gjuhës që ka përdorur Variboba në kushtet e një gjuhe në mbijetesat e saja të fundit, siç ishte arbërishtja është e rëndësishme. Prof. Demiraj ka sjellë një transkriptim të plotë  funksional, për një lexim dhe një njohje të thellë të kësaj vepre. Jashtë kësaj marrëdhënie “Gjellës së Shën Marisë së Virgjër “ do t’i mungonte një pjesë e komunikimit të saj për kohën e më vonshme kur ajo u shkrua. / KultPlus.com

Të ngjajshme