22 Janar, 2025 - 1:30 pm
Më shumë se 4000 turistë prenotuan shtretër në Korçë dhe fshatrat e saj turistike, vetëm në 10-ditëshin e fundit të vitit 2024. Gjithashtu u shpenzuan nga turistët që kaluan këto festa në Korçë 2,5 milionë euro.
Niko Peleshi, drejtuesi politik i PS për Qarkun Korçë, publikoi disa shifra në rrjetet sociale duke i vlerësuar ato si dëshmi të fuqisë që ka kjo zonë si destinacion i preferuar për pushime.
“Sipas vlerësimeve të ekspertëve, edhe këtë dimër Korça mbetet një histori suksesi për turizmin shqiptar”, shkroi Peleshi në rrjetet sociale.
Përveç qytetit të Korçës, ndër fshatrat më të preferuara për turizmin dimëror mbeten Dardha, Voskopoja dhe Boboshtica. Mikpritja, traditat e pasura dhe bukuritë natyrore të juglindjes vijojnë të tërheqin vizitorë nga e gjithë Shqipëria por edhe turistë të huaj, duke e vendosur Korçën në krye të hartës turistike të festave./ KultPlus.com