4 Nëntor, 2019 - 9:02 am
Gjatë karrierës së saj ajo ka provuar të jetë aktore, kërcimtare dhe akrobate. Fillimisht ajo punoi në teatrin italian “Bertoldissimo” dhe bëri një turne të sukseshëm nëpër Itali. Ajo ishte protagonistja kryesore, të cilën shtypi i kohës e cilësoi “La piccola grande Dea”, (E madhja hyjneshë e vogël). U shqua për suksesin që pati gjatë xhirimeve të shoqërisë amerikane “Metro Goldwin Mayer”, të Hollivudit. Ajo qëndroi në Hollivud për shumë kohë ku interpretoi në shumë filma.
Eleni Qirici është shqiptare, e lindur në Australi. Artiste e famshme, me baba korçar dhe nënë australiane. Jetën e kaloi mes këngës, aktrimit dhe kërcimit.
Në rini ka qenë e bukur dhe gjithmonë e lakmueshme nga meshkujt. Korçën, vendin e të atit, e preku vetëm kur ishte nëntë muajshe. Kush i ka jetuar ato vite, apo e njeh mirë historinë, padyshim i kujtohet këngëtarja Eleni Qirici. Dha pak koncerte në Shqipëri, duke nisur me Korçën, qytetin e serenatave, me Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Elbasanin, etj. Por pjesën më të madhe të suksesit të saj, Qirici e fitoi në Evropë dhe në Amerikë. Rrjedh nga familje artistësh, historia e të cilëve është e lashtë dhe e pasur. Kjo familje, që emigroi në vitin 1890 në Amerikë për arsye ekonomike, më pas do të bëhej një nga pjesëtaret më të rregullta të festave mondane.
Eleni Qirici, artisja e famshme shqiptare, të cilën shtypi botërore e ka vlerësuar maksimalisht, e nisi karrierën e saj artistike që në moshën pesëvjeçare, ku filloi të këndonte, kërcente dhe të merrej me akrobaci, këtë të fundit të mësuar nga xhaxhai i saj. Për herë të parë, ashtu e ndrojtur dhe me çiltërsinë e një fëmijë, Qirici interpretoi në skenën e kinema “majestik”, së bashku me grupin e xhaxhait, i cili falë saj rroku një sukses të madh, që bëri të kapërcente kufijtë e Korçës.
Kur ishte vetëm 13 vjeç, Eleni pushtoi e vetme skenat e vendit. Koncertin e parë së bashku me prindërit e saj, instrumentistë, Eleni e dha në kinema “majestik” në Korçë. Ishte një koordinim i interpretimit të dy prindërve instrumentistë dhe vajzës së tyre që herë këndonte, herë kërcente dhe herë interpretonte si akrobate. Koncerti u prit me entuziazëm të madh, gjë që e inkurajoi vogëlushen, e cila shumë shpejt u bë e njohur për talentin e saj edhe në skenat e qyteteve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës etj. Ajo befasonte publikun, ndërsa shtypi i kohës e pasqyronte turneun artistik të Elenës duke evidentuar talentin e saj artistik, veçanërisht për këngët.
Shkollimi në Vjenë dhe suksesi në Evropë
Prindërit, duke qenë vetë artistë kuptuan se vajza kishte aftësi të rralla artistike, ndaj vendosën ta çonin për studime në Vjenë, në një shkollë kërcimi. Nuk kishin kaluar as tre muaj që Eleni mësonte në këtë shkollë, kur u ngjit në skenën e teatrit variete të Vjenës. Interpretimi i saj plot jetë, shkathtësi dhe besim në vetvete ra menjëherë në sy të kritikëve të artit, të cilët filluan ta mbështesnin këtë talent të ri. Shtypi filloi të shkruajë për të dhe padyshim kjo tërhoqi vëmendjen e menaxherëve italianë, të cilët kërkonin talentet e reja dhe u ofronin rrugë drejt suksesit. Kështu ndodhi edhe me Elenin.
Në një koncert të saj në Vjenë u paraqit përfaqësuesi i shoqërisë italiane “Frateli Schwarz”, tepër e njohur në atë kohë, që i ofroi një marrëveshje 6-mujore. Në këtë shoqëri bënin pjesë 80 artistë, por Eleni e vogël u bë shumë shpejt protagonistja kryesore, duke siguruar suksesin e shoqërisë “Bertoldissimo”. Shfaqjet artistike të organizuara nga kjo shoqëri në shumë qytete të Italisë ishin një sukses i madh dhe sigurisht e ndihmuan Elenën të bëhej e njohur shumë shpejt në jetën artistike italiane. Shtypi italian i rezervoi Eleni Qiricit një vend të veçantë dhe për të u shkruan mjaft artikuj, ku ajo emërtohej si “La picola grande diva” (vogëlushja hyjneshë e madhe).
Me këtë koncert ajo interpretoi gati në të gjitha skenat e qyteteve të mëdha italiane si në Romë, Milano, Bolonjë, Firence etj. Por kjo jetë artistike i shërbeu për të dalë tej kufijve të Italisë. Tek Eleni mbërritën menaxherë të shoqërive evropiane, mes të cilëve artistja e re korçare zgjodhi shoqërinë franceze “A.B.C” të Parisit.
Rrugëtimi drejt Hollivudit
Tek Eleni ishin ndërthurur gjithë cilësitë e mira: talenti si këngëtare, kërcimtare dhe akrobate. Bashkëngjitur talentit, bukuria e stili i veçantë që e karakterizonte në jetë, këto veçori bënë që Qirici të tërhiqte vëmendjen e shoqërive kinematografike amerikane. Një përfaqësues i kinematografisë amerikane të Hollivudit, “Metro – Golduin – Mayer”, i ofroi të bëhej pjesë e projektit të tij. Pranoi.
Që në vitin e parë të mbërritjes në Amerikë, Qirici interpretoi disa role kryesore, në të cilat këndonte, kërcente dhe interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Talenti i saj shumë shpejt të ishte e mirëpritur nga artdashësit amerikanë. Pa vonuar, vepra e vajzës shqiptare u pasqyrua edhe në mjaft media amerikane, të cilat nisën ta krahasojnë me balerinën e famshme amerikane të kohës Eleonor Pauell.
Në verën e vitit 1938, Eleni bashkë me prindërit u kthye në Korçë, ku veç kujtimeve, kishte aty edhe plot të afërm. Për t’i respektuar ajo vendosi të japë një koncert tek kinema “majestik”, prej nga mori rrugë veprimtaria e saj artistike. Bashkë me të interpretonin edhe prindërit. Disa ditë më vonë ky koncert u dha në kryeqytet. Shtypi i kohës bënte reklamën një ditë më parë: “Të mërkurën, ora 9 në kinema “Nacional” interpreton ylli kinematografik shqiptar Eleni Qirici, këngëtare, valltare dhe akrobate…
Tërë shtypi evropian dhe amerikan i kanë ngritur lart cilësitë e të voglës Eleni Qirici. Ajo ka entuziazmuar publikun e Londrës, Parisit, Vjenës, Romës, është artistja kryesore e dy filmave në Hollivud. …Eshtë një artiste që posedon me të vërtetë diçka që nuk mësohet, por vetëm lindet, që me të vërtetë nderon gjithë kombin shqiptar në botën e huaj”. Një ditë pas shfaqjes në shkrimin me titull “Sukses i jashtëzakonshëm i vogëlushes Eleni” shkruhej: “… ishte një eveniment i madh artistik për gjithë Shqipërinë, ishte shfaqësina e artistes me famë botërore Eleni Qirici. Eleni e jeton muzikën që kërcen me një harmoni të mbaruar lëvizjesh dhe buzëqeshjesh. Në Amerikë është konsideruar më tepër se një yll”.
Martesa në Amerikë dhe mbyllja e karrierës
Shkëlqimi i artistes së re shqiptare nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e elitës amerikane. Koncertet e saj dhe më pas edhe filmat ku ajo interpretonte ndiqeshin dhe vlerësoheshin prej shtresave të pasura të Amerikës. Babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë.
Ai parandiente se martesa me një amerikan apo ndonjë të huaj tjetër do ta largonte nga prindërit, të afërmit, vendi i tij. Ishte kjo arsyeja që ai refuzonte edhe kërkesat që i vinin për martesë nga djem të kombësive të tjera. Pavarësisht kësaj, Qirici u martua me djalin e një prej familjeve më të pasura në Amerikë, Fordi. Por kjo martesë i kushtoi artistes shqiptare të hiqte dorë nga bota e artit, duke iu përshtatur kështu jetës mondane. KohaNews / KultPlus.com