10 Mars, 2020 - 8:57 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti sqaroi sot disa prej masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend.
E ftuar në një studio televizive, ajo u shpreh se “masat e nevojshme duhen marrë për të parandaluar rrezikun e përhapjes”.
“Me urdhrin e djeshëm edhe aktivitetet kulturore dhe artistike duhet të anulohen të paktën për këto dy javët në vijim. Kjo prek edhe të gjithë fushën e aktiviteteve që zhvillojnë institucionet tona. Në rastin konkret kemi Teatrin e Operas dhe Baletit, Teatrin e Kukullave, Teatrin Eksperimental, po shikojmë edhe çeljen e ekspozitave, konferencat dhe dëgjesat publike janë anuluar”, tha Margariti.
Ajo theksoi se “janë anuluar po ashtu edhe të gjitha aktivitetet me rastin e Festës së Verës”. “Ky është një moment tjetër shumë delikat për t’u mirëkontrolluar, ashtu siç po ndodh edhe në vendet e tjera të botës. Masat që duhen marrë me keqardhje për jetën tonë artistike, patjetër ka hapësira më pas për t’i rikthyer”, tha Ministrja.
Ndërkohë ajo theksoi se “kinemanë nuk e shikoj shumë problematike, por rasti i koncerteve apo aktiviteteve të mëdha kërkon më shumë angazhim”.
Ajo shtoi se situata nga koronavirusi nuk e ka kushtëzuar punën e Ministrisë, por e ka transformuar atë duke shtuar edhe një tjetër prioritet.
“Puna kryesore është mospërhapja e panikut. Puna vazhdon dhe duhet të gjejmë mënyra të tjera alternative”, tha Margariti.
Duke folur për rindërtimin e objekteve të kulturës që janë dëmtuar nga tërmeti, Margariti tha se “prezenca e ekspertëve të huaj shërbeu për analizën më të shpejtë”.
“Janë mbi 55 monumente që kanë nevojë për ndërhyrje. Do të kalojmë në fazën më të detajuar për të bërë edhe pasqyrën e qartë të hapave. Restaurimi i monumenteve është një fushë e gjerë dhe me ekspertiza të shumta”, u shpreh ajo.
Margariti shtoi se deri tani janë hartuar projekte të thjeshta dhe tani do të hyjmë në projekte të detajuara”.
“Sot në Komisionin Shtetëror të Rindërtimit do të bëhet prezantimi i i objekteve arsimore dhe monument kulture dhe do të ecim me projektet e zbatimit, siç kemi bërë me planet e detyruara vendore. Në një afat të shkurtër 30-ditor besojmë të kemi programet e zbatimit.
Ky është momenti kyç. Po njësoj do të kemi ndërveprim me ekspertë të huaj. Restaurimi i monumenteve është një fushë e gjerë. Nuk është thjesht restauratori në vetvete ai që merret, janë të gjitha këto hapa studimi që për kohën që kemi kaluar ishin të pamundura për tu bërë. Besoj se jemi në një hap të mirë dhe kemi ecur shpejt, sepse kemi identifikuar një numër më të madh se 55 monumente. Amfiteatrin po e shikojmë si Parkun Arkeologjik të Durrësit”, tha ministrja. Atsh / KultPlus.com