10 Mars, 2020 - 7:58 pm
Rrugët e Firences, Romës dhe Milanos, që zakonisht janë të mbushura me njerëz, të martën ishin bosh.
Kjo gjendje është shkaktuar pas vendimit të Qeverisë për ta vërë tërë shtetin në karantinë.
Në çdo qytet rrugët ishin të boshatisura, kafenetë pa klientë, derisa mbi 60 milionë italianë po i përmbahen detyrimit për të qëndruar në shtëpi.
Në Firence të gjitha kafenetë ishin praktikisht të zbrazëta edhe pranë atraksioneve më të njohura turistike.
E në Romë trafiku ishte shumë më i qetë sesa zakonisht dhe numri i qytetarëve të dalë nëpër rrugë ishte skajshmërisht i vogël.
Ndërkohë në Milano tregu i famshëm kishte më pak blerës.
E gjithë popullata e Italisë është urdhëruar të mos dalë prej shtëpive, pos në rast të urgjencave.
Janë ndaluar të gjitha tubimet publike dhe janë pezulluar të gjitha ngjarjet sportive, përfshirë edhe ndeshjet e futbollit.
Vdekjet në rajonin e Lombardisë janë rritur për 25 për qind brenda vetëm një dite, përkatësisht në 333, ndërsa numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 463, që është tani më i larti në botë, pas Kinës.
Më shumë se 9.000 persona janë infektuar në Itali brenda pak javësh, teksa në mbi 100 shtete të botës deri më tani janë regjistruar më shumë se 113 mijë të prekur.
Afro 4 mijë kanë vdekur në të gjithë botën, shumica dërrmuese në territorin e Kinës.
E përpos bllokadës totale, Italia, që është tani vatra evropiane e përhapjes së virusit, po përballet edhe me telashe të tjera.
Të martën Austria ka vendosur t’ua ndalojë hyrjen në vend vizitorëve nga Italia, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
Ndërsa aviokompania britanike “British Airways” ka pezulluar të gjitha fluturimet për Itali dhe rreth saj.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, iu drejtua të martën kombit me një fjalim, duke u kërkuar atyre që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Ama vetëm pak minuta më pas ai ia shtrëngoi dorën bashkëbiseduesit në konferencë, e pastaj u detyrua që të kërkojë falje.
Në anën tjetër, Shtëpia e Bardë ka njoftuar se presidenti Donald Trump nuk është testuar për koronavirus, ani pse ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të paktën dy ligjvënës, të cilët u vunë në izolim vullnetar, shkaku se kanë rezultuar pozitivë në testin për virusin. /Koha.net / KultPlus.com