4 Janar, 2021 - 2:01 pm
“Kultura nuk është gjithçka”, është shkruar në tabelën e kinemasë, “por pa kulturë, asgjë nuk ka më vlerë!”
Pandemia e koronavirusit, në të vërtetë, ka lënë vragë në arte dhe në skenën kulturore. Çfarëdo fjalësh inkurajuese që kanë thënë politikanët gjatë këtyre muajve të fundit, prapëseprapë kanë tingëlluar të pashpresë më shumë së kurdoherë, kur kanë thënë se sektori do të gjejë një zgjidhje kreative. Përkundër vështirësive financiare – jo të gjithë kanë reaguar si aktori gjerman dhe këngëtari Tom Schilling, që ndien “një frymëzim ekstrem në situata të tragjedisë” dhe “ ishte inspiruar me të madhe” nga karantinimi në pranverë – njerëzit që punojnë në sektorin e kulturës sidoqoftë, kanë sfiduar situatën e tensionuar me koncepte interesante në këta muajt e fundit
Termi “higjienë” pa dyshim do të mbahet mend si diçka tipike për vitin 2020. Pas karantinimit të parë, strategjitë e higjienës u bënë të domosdoshme kudo në vendet që dëshironin të kishin audiencë, bashkë me rregulla të rrepta. Shfaqjet u pritën me entuziazëm në të gjithë Gjermaninë; malli për shfaqje të drejtpërdrejta dhe koncerte ishte i madh si për publikun ashtu edhe për artistët. Salla e koncerteve “Elbphilharmonie” në Hamburg, për shembull, mbajti shfaqje të shumta me publikun që ndryshonte çdo ditë. Megjithatë, shfaqjet nuk ishin shumë fitimprurëse për shkak të numrit të vogël të publikut.
Klubet, orkestrat dhe teatrot vërtetuan se platformat “streaming” nuk janë vetëm për shikimin e tepërt të serialeve në “Netflix”. Menjëherë pas fillimit të bllokimit, klubet në Berlin bashkuan forcat dhe transmetuan ndejat në shtëpitë e njerëzve nën moton “United we Stream”. DJ-të luajtën pjesët e tyre live në klubet e zbrazëta. Orkestrat rreth botës gjithashtu transmetuan shfaqje në mënyrë digjitale. Pianisti i njohur Igor Levit dha një koncert nga salloni në shtëpi të tij, dhe artisti britanik Alexander Iskin u dha mundësinë njerëzve që të shohin veprën e tij live për 50 ditë.
Teatri Shtetëror i Augsburgut ofroi produksione që njerëzit mund t’i shikonin në shtëpi duke përdorur kufje VR – një zgjedhje që nuk ishte e rrezikshme për infektim. Në vitin 2021, teatri do t’i lejojë njerëzit në të gjithë vendin të marrin me qira kufje VR nëse nuk kanë një palë të tyre, për të shikuar shfaqjet që i ofrojnë. Falë perspektivës së tyre prej 360 gradësh, përvoja me VR ishte një vlerë e shtuar në krahasim me një performancë të rregullt të ndjekur nga audienca. Muzetë gjithashtu reaguan ndaj mbylljes dhe ofruan turne digjitale për ekspozitat e tyre.
Megjithatë, pandemia ka të ngjarë të ketë një ndikim të gjatë në arte. Si do t’i procesojnë këtë eksperiencë dhe ndryshimet në shoqëri piktorët, këngëtarët, shkrimtarët dhe aktorët?
Gjatë javëve të verës “Kunsthaus Bregenz” në Austri tregoi një ekspozitë të veçantë që gjurmonte “pasiguritë e jetës që nga fillimi i krizës së koronës. Ndërsa shkencat përpiqen të ofrojnë zgjidhje, janë artet ato që e përshkruajnë lëmshin e krizës”, ka shkruar hapësira ekspozuese në faqen e saj të internetit. Disa artistë dërguan punime të kohëve të fundit, që tashmë ishin reflektim i krizës. Në mesin e atyre që dërguan vepra ishte edhe artisti bashkëkohor i Afrikës së Jugut, William Kentridge. Artistët e tjerë, me vepra më të vjetra, reflektonin skepticizëm të progresit dhe melankoli që dukej sikur shpërfaqnin parandjenjat e pandemisë.
Gjuha është kulturë, kështu që ngjarjet kryesore shoqërore kanë tendencë të ndikojnë në mënyrën se si ne komunikojmë. Këto ditë, ndoshta të gjithë dinë të shkruajnë “epidemiologji” dhe “karantinë”. Para pandemisë, sa shpesh keni hasur në fjalët “rojë teshtimash”?
Koronavirusi ka shkaktuar krijimin e fjalëve krejtësisht të reja në gjuhën gjermane, gjithashtu rreth 1 mijë fjalë gjetën rrugën e tyre në listën e Institutit Leibniz për Gjuhën Gjermane, përfshirë “Super Spreader-Ereignis” (ngjarje superpërhapëse), “Wellenbrecher-Lockdoën” ( bllokim i kanalizimit, një term për një lloj bllokimi të dritës) dhe “ndeja në Zoom”.
Tani gjermanët janë drejtuar për në vitin 2021 në atë që po quhet “Impfstrasse” – fjalë për fjalë, rruga drejt vaksinimit, një referencë për qendrat e mëdha të vaksinimit që do u duhet ta menaxhojnë fluksin e njerëzve që duan të vaksinohen kundër COVID-19./dw/ KultPlus.com