13 Janar, 2021 - 5:48 pm
Një prej shoqatave më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në SHBA është “Qendra Shqiptare e Nju Jorkut”.
Pararendëse e saj ishte Shoqëria “Kosherja” e themeluar në vitin 1930, si një organizatë, e cila kishte për qëllim të mbante gjallë rrënjët, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Më 1948 ky organizim do të merrte emrin “Qendra Shqiptare e Nju Jorkut” dhe presidenti i parë do të ishte Musa Hajro, i cili u pasua nga Asim Lulo, Eqerem Ruca, Lemi Kokalari, Myfit Demirali, Drita Kokalari.
Një nga veprimtaritë më të suksesshme të Qendrës ishte hapja e shkollës “Kosherja”, ku fëmijët e emigruar mësonin të shkruanin dhe lexonin gjuhën shqipe.
Por Qendra organizonte gjithashtu një sërë veprimtarish kulturore dhe artistike. Një nga ngjarjet më të shënuara është vënia në skenë e dramës “Besa” të Sami Frashërit më 30 shtator 1950, ku rolet e personazheve do të luheshin nga vetë anëtarët e shoqatës.
Për të ruajtur lidhjet mes anëtarëve dhe familjeve të komunitetit shqiptar në Nju Jork, Qendra organizonte çdo vit piknikë, ose udhëtime me anije.
Por përveç veprimtarive me ndikim për komunitetin shqiptar në Amerikë, pas vitit 1990, “Qendra Shqiptare e Nju Jorkut” u aktivizua fuqishëm për të ndihmuar shqiptarët që jetonin në atdheun e tyre, të cilët ndodheshin në gjendje tragjike dhe po përjetonin një krizë humanitare, pas çlirimit nga diktatura komuniste.
Qendra Shqiptare ishte e para që u vu në lëvizje dhe u bë burimi kryesor i sigurimit të fondeve për “Fondacionin Shqiptar të Ndihmës” dhe rezultati ishte sigurimi dhe dërgimi në Shqipëri i ndihmave në ilaçe dhe mjete spitalore me vlerë mbi 10 milionë dollarë.
I njëjti angazhim i Qendrës ndodhi edhe për të ndihmuar kalimin e krizës humanitare që pasoi genocidin serb në Kosovë.
Kjo foto është realizuar në piknikun e organizuar nga Qendra Shqiptare e Nju Jorkut më 15 korrik 1962. Foto kortezi e “Muzeu Kokalari”./ KultPlus.com