6 Shkurt, 2021 - 8:55 pm
Edicioni i pestë i “Kosova Brass Fest”, vazhdon rrjedhën e tij me dy koncerte me datë 8 shkurt. Në mbrëmjen e dytë të fazës së koncerteve, do të prezantohen dy ansamble të tunxhit. “Albanian Brass Quintet & Percussion” dhe “Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”, shkruan KultPlus.
Mbrëmja e radhës e “Kosova Brass Fest” do të mbahet me fillim nga ora 16:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të interpretojnë “Albanian Brass Quintet & Percussion”, kurse në orën 16:30 do të interpretoj “Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”
Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – Trombonist dhe Avni Krasniqi – Trumpetist, ndersa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
“Albanian Brass Quintet & Percussion”
Ky ansambël është krijuar në vitit 2005 nga 6 miq si: Xhino Daja – Trumpetë, Reinald Foci – trumpetë, Ilir Kodhima – Korno, Dorian Llanga – trombon, Ilir Vorpsi – bass trombon dhe Nikolas Bonci – Perkusion. Ata janë një faktor i rëndësishëm në jetën kulturore në Shqipëri, pranë institucioneve kulturore ku ata performojonë si: Teatri Operas dhe Baletit dhe Orkestra Sinfonike e Radio Televizionit Shqiptar. Ky ansambël ka qenë pjesë e festivaleve, ceremonive dhe koncerteve të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Albanian Brass Quintet” duke qenë shumë kompakt, reflekton cilësi të lartë artistike, duke u kthyer në inspirim për artistët e rinj dhe kompozitorë të ndryshëm të cilët kanë dedikuar vepra Premiere apo risjellë vepra të shumta me një qasje krejtësisht të veçantë. Suksesi i tyre konsiston edhe në sajë të një repertori mjaft të larmishëm dhe atraktiv i cili synon të afrojë një publik sa më të gjerë me artin por edhe të promovojë vlerat tona kombëtare.
“Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”
“Ansambli mbarëkombëtarë i tunxhit” i formuar para 5 viteve, është formacion i ri i muzikës së dhomës. Anëtarët e këtij ansambli janë artistë të rinj, produkt i bashkëpunimit të instrumentistëve të tunxhit nga institucionet më të rëndësishme kulturore muzikore të Shqipërisë dhe Kosovës. Pa llogaritur vështirësitë, sot ata kanë arritur qëllimin e tyre dhe kanë marrë këtë nismë për të ngritur një ansambël mjaft të rrallë, jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë rajonin.
Rikthimi i këtyre dy ansambleve në “Kosova Brass Festival”, ka simbolikë të veçantë sepse me këto dy ansamble është bërë dhe hapja e këtij festivali para 5 viteve. Këto formacione vazhdojnë të jenë një urë lidhëse midis artisteve tanë./ KultPlus.com