8 Shkurt, 2021 - 9:59 pm
Suada Qorraj
Në objektin e Kino Armatës në Prishtinë, pjesëmarrës të shumtë kishin filluar që ti zinin vendet në ulëset e tyre. Skena kishe fituar një hijeshi tjetër me praninë e gjashtë miqve, pjesëtarë të ansamblit të tunxhit ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ që dalë nga dalë me instrumentet e tyre i dhanë zë mureve të sallës, shkruan KultPlus.
Në një prezantim të shkurtër të bërë nga kornisti Ilir Kodhima u tha se disa nga veprat që u luajtën sonte do ti kushtoheshin mikut dhe profesorit të tyre tashmë të ndjerë, Andrea Canaj.
Nata e sotme e ‘Kosova Brass Festival’ filloi me këngën tradicionale amerikane ‘Just a closer walk’, për të vazhduar më pas edhe me ‘Yo Soy Maria’, ‘La vita e Bella’, ‘When I am Sixty four’, ‘Homage to Thonas Campion’ dhe Uptown Funk’, por nuk mungoi as muzika shqipe.
Në një interpretim të jashtëzakonshëm nga ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ solli përballë publikut prishtinas ‘Tre këngë shqiptare’ si dhe ‘Të lutem falmi sytë’, aranzhimi i së cilës ishte bërë nga kompozitori Avni Krasniqi.
Në një intervistë për KultPlus kornisti i ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’, Ilir Kokdhima tha se është çdo herë kënaqësi që të marrin pjesë në këtë festival, si dhe është nderë që të interpretojnë përballë publikut prishtinas.
“Ka qenë hera e dytë që marrim pjesë në ‘Prishtina Brass Festival’ sepse herën e parë kemi marrë pjesë në edicionin e parë të këtij festivali duke bërë hapjen, kështu që për ne është gjithmonë kënaqësi, është nderë që të jemi përpara publikut prishtinas”, ka thënë ai.
Tutje Kodhima shtoi se publiku pjesëmarrës në natën e sotme i kishte kaluar parashikimet e tyre madje ai ishte ndjerë mjaft mirë për faktin që publiku mbizotërohej nga një moshë e re, sepse sipas tij kjo do të thotë që ata e duan artin dhe duan ti ikin problemeve të përditshmërisë nëpërmjet tij.
Pas ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ radha për të pushtuar skenën së bashku më gjashtë miqtë, i erdhi Ansamblit Mbarkombëtar të Tunxhit. Prishtina Brass Festivalit këtë vit i ishte bashkuar edhe dirigjenti Gridi Kraja.
Secili interpretim që në minutat e parë e deri tek ata të fundit u përcoll me duartrokitje të mëdha nga publiku pjesëmarrës.
Ky festival tash e pesë vite sa dhe ekziston organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi dhe Avni Krasniqi.
Në një prononcim për KultPlus Betim Krasniqi tha se planet për këtë edicionin ishin ndryshe, sepse përfshinin koncerte më të mëdha e të ftuar të shumtë.
“Planet i kishim që të organizojmë disa koncerte më të mëdha, me të ftuar nga jashtë por pandemia i ndërpreu ato. Me djemtë e Albanian Brass Quintet & Percussion’, dhe ata na ndihmuan shumë në organizimin e sivjetmë”, pohoi ai.
Edicioni i sivjetmë i ‘Kosova Brass Festival’, rrugëtimin e kishte filluar ndryshe nga vitet e tjera sepse festivali i parë ishte mbajtur në qytetin e Drenasit për të vazhduar me pas edhe në Prishtinë.
Krasniqi ka shtuar se viteve të ardhshme synojnë që ‘Kosova Brass Festival’ ta dërgojnë edhe në qytete tjera të Kosovës, por pse jo edhe më gjerë.
Koncerti që filloi në Drenas do të ketë natën e tij të fundit nesër, në kryeqytet ku do mbajnë koncert Ansambli i Vajzave të Tunxhit të cilat ishin të pranishme edhe natën e sotme të koncertit.
Në një intervistë për KultPlus Lirjona Sylejmani , dirigjentja e këtij ansambli tha se është hera e parë që bëjnë një bashkëpunim të tillë dhe pret që kjo do ti pëlqej publikut.
“Nesër e kemi koncertin e parë me Ansamblin e Vajzave të Tunxhit ku jemi pjesë e Kosova Brass Festivalit. Është një koncert premierë dhe është hera e parë që bashkëpunojmë që të gjitha vajzat bashkë. Mendoj që karakteristikë e jona është që jemi të gjitha vajza. Një ansambël i tillë aq sa kemi dëgjuar ne, nuk ka as në rajon kështu që po shpresoj që publiku ka me u nda i kënaqur edhe shpresoj që nuk kemi me u ndalë, kemi me vazhduar edhe në qytete tjerat të Kosovës”, deklaroi dirigjentja.
Koncerti përmbyllës do të mbahet nesër me fillim në orën 16:00 në ambientet e Kino Armatës në Prishtinë.
Ky festival realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com