3 Shkurt, 2021 - 8:25 pm
Kosova Brass Festival pas master klaseve të organizuara me profesorët ndërkombëtarë si: trumpetisti gjerman, Otto Sauter, trombonisti gjerman, Armin Bachman si dhe kornisti dhe dirigjenti polak, Dariusz Mikulski, nis koncertet, i pari do të mbahet në Sallën e Kulturës në Drenas, shkruan KultPlus.
Në kuadër të edicionit të pestë, Kosova Brass Fest kësaj radhe do të udhëtoj drejt Drenasit ku do të paraqiten para publikut kuinteti i tunxhit dhe mezzo-sopranoja Fjolla Krasniqi.
Me qëllim përkrahjen e gjeneratave të reja të instrumentistëve të tunxhit, si qëllim permanent i festivalit, mysafir i këtij koncerti është trumpetisti dhe bashkë organizatori i këtij koncerti, Fatjon Gashi i cili vjen po nga kjo komunë.
Koncerti do të mbahet në Sallën e Kulturës në Komunën e Drenasit me fillim nga ora 14:00.
Koncertet e radhës do të mbahen në “Kino Armata” në Prishtinë me 8 dhe 9 shkurt, me ansamblet: “Albanian Brass Quintet”, “Albanian Brass Ensemble” dhe Ansambli i vajzave të tunxhit nga Kosova.
Ndërsa mbyllja e festivalit do të bëhet gjatë muajit shkurt me koncert madhështor i cili do të jetë befasi e këndshme për publikun.
Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – Trombonist dhe Avni Krasniqi – Trumpetist, ndërsa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com