4 Mars, 2020 - 2:05 pm
Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, me të cilën biseduan për bashkëpunimin dhe synimet e deritanishme të arritura në fushat të cilat janë në përgjegjësinë dhe mandatin e MKRS-së si dhe vazhdimin e mëtejmë të thellimit të relacioneve mes dy vendeve në këto fusha.
Ministrja Dumoshi ka informuar ambasadoren Butel për programin dhe planet që ka për qëllim t’i realizojë në udhëheqjen e MKRS-së, për bashkëpunimin me partnerët dhe miqtë e Kosovës, konkretisht të ministrisë.
Ministrja e njoftoi ambasadoren franceze për përkrahjen që do të ofrojë për institucionet dhe organizatat që merren me kulturë, rini dhe sport dhe angazhimin e saj për të arritur sa më shumë sukses brenda dhe jashtë vendit.
Po ashtu, ministrja e ka falënderuar ambasadoren dhe përmes saj qeverinë dhe popullin francez për kontributin e shtetit të Francës që e ka dhënë për Kosovën, si një partner i rëndësishëm dhe shtet mik dhe vazhdon të japë kontribut edhe më tutje me projekte konkrete siç është, fjala vjen Java e Frankofonisë në Kosovë.
Ministrja Dumoshi potencoi faktin se bashkëpunimi dhe përkrahja e shumë projekteve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë duhet të vazhdojë dhe ajo tregoi gatishmërinë e saj për ta thelluar bashkëpunimin mes MKRS-së dhe ambasadës duke i forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve përmes kulturës e sportit duke i shkëmbyer përvojat e mira dhe ekspertët e këtyre fushave.
Ndërkaq ambasadorja franceze Marie-Christine Butel, e uroi Ministren Vlora Dumoshi për detyrën e re dhe e u shpreh se bashkëpunimi dhe përkrahja mes dy vendeve por konkretisht edhe ndaj MKRS-së do të vazhdojë.
Ajo theksoi se Republika e Francës dhe Republika e Kosovës, si dy vende të pavarura do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës dhe ky relacion do të jetë i qëndrueshme dhe do të avancohet edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se prania dhe mbështetja e Ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë duke u rritur në të ardhmen.
Gjatë takimit u diskutua edhe për prioritetet e përbashkëta të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës Franceze në Kosovë siç janë: fusha e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, kinematografia, promovimi i shkrimtarëve dhe librave kosovarë në Francë dhe anasjelltas. Bashkëpunimi ndër-kulturor mes dy vendeve është edhe më i mirë kur arti dhe kultura arrijnë të depërtojnë tek dy vendet. / KultPlus.com