10 Janar, 2022 - 11:10 am
Pas termetit që goditi Greqinë mbrëmjen e 9 janarit, Kosova ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me kapacitetet e FSK-së, përcjell KultPlus.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ka njoftuar rreth bisedës që pati me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi.
Postimi i plotë:
“Të dashur qytetarë,
Ministria e Mbrojtjes, mbrëmë kemi ndarë shqetësimin me ju me rastin e tërmetit me magnitudë 5.5 që ndodhi në veriperëndim të Florinës, në Greqi, ku në mesin e 7 vendeve të prekura të rajonit ishte edhe vendi ynë.
Në bisedën e sotme telefonike me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi, i shpreha gatishmërinë dhe vullnetin tonë të plotë për të mbështetur autoritetet greke me aftësitë dhe kapacitetet tona specialistike të FSK-së për reagimin, menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e pasojave të mundshme”, shkroi Mehaj. /KultPlus.com