Kosova feston sot 17-vjetorin e pavarësisë

17 Shkurt, 2025 - 9:00 am

Si sot, më 17 shkurt 2008 është shpallur Pavarësia e Kosovës. Ky ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullin kosovar.

Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008./ KultPlus.com

Të ngjajshme