18 Qershor, 2022 - 9:39 pm
Balerinat e Kosovës nga “Studio Baletit Angels” kanë fituar disa çmime në një festival garues në Beograd, shkruan KultPlus.
Eliza Vitja me variacionin e Raymonda ka zënë vendin e parë, Erisa Ahmeti gjithashtu pjesë e kësaj shkolle ka zënë vendin e 3-të me balet klasik, ndërsa Olsa Drnogllava zuri vendin e 3-të me balet neoklasik.
Pjesëmarrës nga e gjithë Evropa kanë qenë të pranishëm aty, derisa fëmijët nga Kosova kanë qenë të përcjellur nga mësuesja Vlora Prizreni.
Balerini Sead Vuniqi ka thënë për KultPlus se ky është një sukses shumë i madh për ata si shkollë, por edhe për gjithë Kosovën.
“Ky është një sukses shumë i madh për ne si shkollë, por edhe për shtetin tonë pasi vajzat tona prezentuan Kosovën me dinjitet në këto gara. Kjo ishte një eksperiencë me shumë emocion për ne dhe jashtëzakonisht shpërblyese pasi na u bë zemra mal me arritjet e tri nxënësve tona”, tha ai.
Kjo është edhe mirënjohja të cilën e kanë marrë, ku shihet edhe emri “Republika e Kosovës”. /KultPlus.com