30 Korrik, 2023 - 11:00 am
MKRS nëpërmjet një komunikate ka njoftuar për vizitën e komisionit vlerësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), shkruan KultPlus.
Më poshtë është njoftimi i plotë i MKRS-së mbi këtë vizitë.
Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) këto ditë ka përfunduar vizitën në Prishtinë mbi kandidaturën për Lojërat Mesdhetare 2030
Pas takimeve të djeshme me krerët e institucioneve të Qeverisë sonë, komisioni vizitoi disa prej hapësirave që do të jenë pjesë integrale e ekosistemit sportiv të Lojërave Mesdhetare 2030.
Vizita e ekipit filloi në Qendrën e Studentëve, kompleks i cili do t’i akomodojë funksionet e Fshatit Mesdhetar gjatë Lojërave Mesdhetare, ku ekipi vizituan dhomat, hapësirat përcjellëse dhe ato që do të shërbejnë për ushtrime. Vizituan edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, stadiumin “Fadil Vokrri” ku do të mbahen gara për disa nga sportet e parapara. Shprehëm dedikimin tonë drejt krijimit të të gjitha kushteve infrastrukturore për gara kualitative dhe zhvillimin sa më të qëndrueshëm të sportit në shtetin tonë në mbështetje të talentit të zhvilluar dhe në zhvillim e sipër që e ka rinia e Kosovës.
Përtej lojërave, kandidatura e Republikës së Kosovës do të ketë efekt jetëgjatë duke treguar vizion për qëndrueshmëri, gjithëpërfshirje dhe angazhim të rinisë, me të cilat kemi për qëllim të lëmë pas trashëgimi të prekshme e të mirëfilltë, duke u dhënë sportistëve tanë hapësirë për zhvillim ndërkombëtar.
Vizita përfundoi në ballkonin e hapur të ndërtesës së Qeverisë, duke e falenderuar përzemërsisht komisionin për këtë vizitë të mirëpritur nga e gjithë Qeveria. Ritheksuam përkushtimin tonë për sportin, sportistët, trajnerët, zyrtarët, vulletarët e tërë komunitetin sportiv e sportdashës në Republikën e Kosovës.
Raporti përmbledhës i komisionit do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së, që mbahet më 8 shtator 2023, ku do të bëhet edhe përzgjedhja e nikoqirit të Lojërave Mesdhetare 2030/ KultPlus.com