16 Maj, 2022 - 12:07 pm
Kosova i është bashkuar sanksioneve të reja të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në prill Këshilli i Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara prezantuan saknsionet e reja kundër Rusisë. Qeveria miratoi sanksionet e koordinuara me BE-në e SHBA-në, raporton gazeta Express.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se sanksionet kanë të bëjnë me ngrirjen e aseteve në Kosovë të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim të qasjes dhe operimit në treg, ndalim të udhëtimit dhe fondeve.
Me sanksionet e reja, Kosova po ashtu ndalon çdo ndërmarrje të transportit rrugor rus apo bjellorus, me disa përjashtime. Kosova po ashtu ka ndaluar importin e qymirit nga Rusia apo nga shtete që e blejnë nga Rusia.
Kosova po ashtu vendosi masa kufizuese të ngjashme kundër grupit “Wagner”, një entitet ushtarak privat me bazë në Rusi.
“Aktivitetet e këtij entiteti janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha Bislimi para miratimit.
Paraprakisht, Ekzekutivi miratoi një projektligj për ta mundësuar zbatimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. /KultPlus.com