Kosova, nikoqire e Olimpiadës Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2025

19 Prill, 2025 - 11:33 am

Autor: Labinot Kunushevci

Isha shumë i nderuar që të jem pjesë e kësaj olimpiade si Deputy Chief Guide. Kjo ishte ngjarja më e madhe globale shkencore e ndodhur në Kosovë, ku morën pjesë 219 vajzat më të talentuara të botës në matematikë, nga 55 shtete të botës, në periudhën 11-17 prill 2025.

“Njeriu është produkt i kulturës, jo i racës”, prandaj ishte kënaqësi të punoja dhe t’u shërbeja adoleshenteve të talentuara, pavarësisht identitetit apo prejardhjes. Ato janë kokat më gjeniale të matematikës në botë dhe Kosova për herë të parë u ofroi mundësi që t’i matin aftësitë e tyre në një garë të fuqishme, të drejtë dhe tejet cilësore.

Kosova tregoi se ka kapacitete për të organizuar dhe udhëhequr një olimpiadë ndërkombëtare me kaq peshë dhe prestigj. Kemi arritur t’i thyejmë të gjitha paragjykimet dhe skepticizmat që shumë vende kanë pasur për Kosovën. Mikëpritja, organizimi fantastik, glamuroz dhe korrekt, respektimi rigoroz i rregullave të olimpiadës, ndarja e roleve dhe punës, trajtimi i barabartë, niveli i lartë profesional, transporti nga aeroporti apo stacioni i autobusëve dhe akomodimi i rreth 500 pjesëmarrësve nëpër hotele të vogla (garuese, liderë, zëvendës-liderë, koordinatorë etj.) dhe ndërlidhja e tyre në një projekt të tillë, komunikimi i shpejtë dhe efikas, zgjidhja e problemeve, ekskursionet dhe atraksioni, njohja me kulturën shqiptare dhe me trashëgiminë e Kosovës, ishin karakteristika të olimpiadës dhe zotësi e një ekipi profesional që e organizoi dhe udhëhoqi këtë ngjarje e cila ndoshta nuk do të përsëritet më në Kosovë.

Nga vlerësimi që kemi marrë, shumica e garueseve dhe përfaqësuesve të këtyre vendeve janë ndarë të befasuar dhe të kënaqur me gjithë atë që kanë përjetuar. Ata sot po na falenderojnë pa masë që ne u lamë përshtypje shumë pozitive, që ne u treguam se kemi zemër të madhe, që ne u treguam se kemi aftësi për t’i orientuar potencialet e tyre në një terren ku maten forcat matematikore. Dhe kjo ndodhi në Prishtinë, në një vend që pak njerëz e kanë imagjinuar apo besuar se mund të ndodhë. Ishte fantastike të shihje në një vend talente që përfaqësojnë mbi 50 kombe të botës, që flasin gjuhë të ndryshme dhe vijnë nga kultura të ndryshme, pa as më të voglin incident.

Këtë e dëshmoi Shoqata e Matematikanëve të Kosovës dhe Instituti për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), udhëheqësit e të cilëve i falenderoj, sidomos organizatorin kryesor Valmir Krasniqi, olimpiadë kjo e mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe nga kompani e sponzorë prestigjiozë vendorë e ndërkombëtarë. Gjithsesi edhe bashkëpunimi me partnerët e tyre ishte thelbësor. Secili ishte në krye të detyrës.

Ndonëse unë jam sociolog, dhe jo matematikan, megjithatë shpejt u përshtata me natyrën e një projekti gjigant nga fusha e matematikës, sigurisht për shkak të tipareve të mia modeste në udhëheqje dhe komunikim, m’u besua një përgjegjësi e madhe që të bashkëpunoj dhe t’u ndihmoj rreth 60 vullnetarëve, gjimnazistë e studentë kosovarë, në rolin e tyre “guide” që kishin. Kemi pasur ditë që kemi punuar 23 orë, me vetëm 1 orë gjumë dhe kjo orë “pushimi” u bë në vendin e punës. Por këtë 1 orë gjumë do ta mbaj mend gjatë. Ne “pushonim” duke e aktivizuar pasionin dhe adrenalinën në maksimum sepse ashtu balancohej lodhja. Sepse bota i kishte sytë në shpejtësinë dhe efikasitetin tonë. Qindra punë kryheshin brenda ditës. Këto projekte nuk kanë sukses nëse vetëm 1% improvizohet. Nuk kanë sukses nëse ekipi i projektit e plotëson “normën e gjumit”. Ne punuam me kritere ndërkombëtare. Shumë ekipe shtetesh që kishin traditë olimpiadash, na thanë se në Kosovë kemi kaluar më mirë se në shtetet tjera që kishin organizuar EGMO më herët. Kjo nuk arrihet lehtë. Kjo nuk blihet me para, as nuk vidhet, as nuk kopjohet. Është vetëm rezultat i punës serioze 24/7. Sepse Zoti e shpërblen diciplinën.

Ne treguam se vullnetarizmi nuk është vetëm retorikë. Angazhuam rreth 60 vullnetarë, të cilët me plot pasion, diciplinë e kreativitet, u shërbyen ekipeve e shteteve të tyre. Kemi pasur shumë stres, presion e dinamikë, si në kosheret e bletëve, me pak telashe të menaxhuara, por këta vullnetarë të cilët i falenderoj thellësisht, ndonëse shumicën e njihja sepse jam mësimdhënës i tyre, më lanë një përshtypje aq të mirë për të mos prituar kurrë të bashkëpunoj me ta në projekte të ardhshme. U kam besuar edhe pa filluar. Që në takimet e para përgatitore, kur mbaja një lloj trajnimi mbi mënyrën se si mund të sillemi, komunikojmë apo reagojmë me ekipet pjesëmarrëse, e lexova seriozitetin e tyre. Sepse nektari që u prodhua ishte meritë edhe e tyre. Guidat tona përkujdeseshin për çdo detaj, duke siguruar mirëqenien e secilës garuese, duke u ofruar asistencë të plotë. E gjithsesi mua më ndihmoi edhe ekipi me të cilin bashkëpunova në raport me guidat. Thjesht, mirënjohës të gjithëve.

Në EGMO 2025 u dhanë 27 medalje ari, 38 medalje argjendi, 53 medalje bronzi dhe 52 medalje nderi. Edhe Kosova ishte pjesë e kësaj gare dhe arriti të fitojë medalje nderi. Rezultatet e garës mund t’i shihni këtu, në kategorinë e fundit “Country Results”: European Girls’ Mathematical Olympiad: Scoreboard for EGMO 2025 in Kosovo

Sa keq që lajmi mbi këtë olimpiadë nuk e mori jehonën e duhur në media. Sepse mediat klienteliste nuk ua dinë vlerën një ngjarjeje kulturore globale. Por mos harroni, për një javë ne ishim nikoqir të 55 shteteve nga të gjitha kontinentet. Kemi shumçka për të treguar për këtë ngjarje. Dhe ata pjesëmarrës nuk ishin turistë, por ishin shkencëtarë, ishin talentet e botës. Dhe ende ka media që nuk e kanë të paktën një lajm për olimpiadën – EGMO 2025!/ KultPlus.com

Të ngjajshme