16 Maj, 2022 - 2:07 pm
Më 10-13 maj 2022 në Universitetin e Stambollit u organizua simpoziumi i tetë i Këshillit Ndërkombëtar për Muzikën Tradicionale (ICTM) të Grupit studimor për muzikën dhe vallet e Evropës juglindore. Krahas mbi gjashtëdhjetë pjesëmarrësve nga të gjitha shtetet e Ballkanit, për herë të parë mori pjesë Kosova, me panelin grupor të studiuesve nga Instituti Albanologjik, në të cilin u shpalosën aspekte të veçanta të traditave shqiptare të riteve, muzikës e valleve, të dasmës por edhe riteve familjare e sociale, në të cilat mund të gjenden gjurmë të traditave orientale. Kumtesat nga Kosova zgjuan interesimin e pjesëmarrësve që ishin njohës dhe studiues të shquar të traditave të Evropës juglindore.
Folkloristja Arbnora Dushi prezantoi për traditën e Dhjetësahatëshit, ceremonisë tradicionale familjare të grave, e cila është praktikuar në qytetin e Gjakovës në të kaluarën e afërt, me kostumet e adaptuara nga tradita orientale, ushqimet, muzikën e vallëzimet specifike të pjesëmarrëseve në ceremoni, krahas edhe respektit për shprehjen e lirisë së gruas në familje e shoqëri. Gjithashtu për traditat autoktone lokale të fisnikërisë, bujarisë, nikoqirllëkut, respektimit të hierarkisë së brezave e organizimit të strukturuar të rendit të traditës së mikpritjes shqiptare. Dëshmia e ofruar për të pranishmit ishte një video nga ceremonia e Dhjetësahatëshit e regjistruar në vitin 1978.
Etnologia Bubulinë Syla kumtoi për vallet gjysmë rrethore të dasmës shqiptare, të cilat shoqërohen me instrumente si lodra, tupana, surla, def, me pjesëmarrje masive të dasmorëve të cilët të kapur dorë për dore e të prirë nga udhëheqësi i valles, vallëzojnë me hapa të harmonizuar e me takt. Vallet e këtilla me lëvizje ritmike të cilat i shoqërojnë ahengjet familjare flasin për tradita të ngjashme edhe në vendet e tjera në Evropën juglindore, të cilat u dominuan nga Perandoria osmane për disa shekuj. Shembujt me videot nga ahengjet e dasmave të zonës së Karadakut e konkretizuan këtë paraqitje.
Etnomuzikologu Krenar Doli për traditën e ahengut të rendit të burrave në qytetin e Gjakovës, në të cilën gjurmën e kulturës osmane dallohen përmes emrave të shkallëve muzikore e instrumenteve (defi, sharkia, bugaria), e përmes strukturës organizative ku shfaqet shtresa e muzikës modal-diatonike si dhe shtresa e muzikës modale-kromatike. Përderisa repertoari muzikor, brezat e këngëtarëve gjakovarë, tekstet e këngëve me tematika lokale e tradita e konsoliduar e muzikës qytetare dëshmojnë për origjinalitet e adaptim me praktikat lokale, të cilat tashmë e kanë marrë vulën identitare të këtij qyteti. Fotografitë origjinale nga formacionet muzikore dëshmuan për aspektin vizual të kësaj trashëgimie.
Etnomuzikologu Visar Munishi paraqiti kumtesën me titull “Hallallaku i nuses” që e nënkupton momentin e përshëndetjes së nuses së ardhshme me anëtarët e familjes së saj para se të niset në familjen e burrit. Ky moment i cili në traditën shqiptare, të adoptuar sipas ritit dhe emrit osman të natës së kanës – kanagjeqit, shoqërohet me emocione të forta e me këngën vaj të nuses, e cila pavarësisht se e ka ruajtur emrin karakterizohet edhe me tipare lokale që e dallojnë këtë rit nga traditat e tjera të ngjashme në Ballkan, të ndikuara nga kultura osmane. Videot nga terreni, të regjistruara në fshatrat e Kamenicës, që e shoqëruan këtë prezantim, ishin dëshmia më bindëse për praninë e këtij riti në traditën shqiptare.
Gjithashtu edhe etnomuzikologia shqiptare nga Sllovenia, Alma Bejtullahu, në këtë simpozium prezantoi për përshtatshmërinë e konceptit tradicional të virgjëreshës së përbetuar në muzikën aktuale në Kosovë, ku në kuadër të sesionit mbi “Gjininë dhe seksualitetin në muzikën dhe vallet e Evropës juglindore”, solli këngë nga repertoari i këngëtareve Shkurte Fejza e Naxhije Bytyqi, krahas prezantimit të këtij fenomeni shoqëror në kulturën shqiptare. / KultPlus.com