23 Gusht, 2019 - 3:00 pm
Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur po i bënë organizimet për të shënuar 30 gushtin, Ditën Ndërkombëtare për të Pagjeturit.
Është formuar një këshill organizativ, bashkë me familjarët e personave të pagjetur, të cilët organizimet do t’i nisin me një marsh në kryeqytet që do të mbahet më 30 gusht, nën moton “20 vjet pritje, dhimbje dhe krenari”.
Ani pse Qeveria është dorëhequr, dhe Kuvendi është shpërndarë, institucionet do të bashkohet për një prej çështjeve më të ndjeshme në vend, e cila është plagë e hapur tash e dy dekada, ajo për personat e pagjetur.
Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka filluar përgatitjet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare.
Udhëheqësi i këshillit koordinues, Jahja Lluka tha se më 30 gusht do të marshojnë nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri të obelisku i personave të pagjetur, ku përfaqësuesit e institucioneve, dhe familjarët, do të vënë kurora me lule në obelisk, transmeton rtk.
Ai bëri të ditur që sivjet do të shënojnë këtë ditë me moton “20 vjet pritje, dhimbje dhe krenari”.
Sipas tij, organizimet këtë vit do të jenë më ndryshe, meqë do të fokusohen më shumë nëpër qendra.
“Këtë vit e kemi ndryshuar pak agjendën do të ketë edhe shumë aktivitete nëpër qendra, e fillojmë me thirrjen e një tryeze për bisedimet për të zhdukurit, që do të mbahet në Gjakovë, me thirrjen e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, pastaj një tryezë tjetër në Drenas, ku komuna e Drenasit dhe Skenderajt e bëjnë bashkërisht një tryezë, gjithashtu më 27 do të mbahet një tryezë në qendrën burimore, ku do të jenë përfaqësues të të gjitha institucioneve, edhe ndërkombëtarë, ambasadorë që kanë ndihmuar në këtë çështje”, tha ai.
Lluka tha se fatkeqësisht, as sivjet nuk kanë ndonjë lajm që do t’i gëzonte familjarët, por shpresojnë që punët të ecin më shpejtë, në mënyrë që të ndriçohet fati i më të dashurve të tyre.
“Ndoshta për dikë nuk është kushedi çfarë pune, por të kesh punë në organizime dhe të jesh vazhdimisht me familjarët të cilët presin tani 20 vjet një lajm, është shumë e vështirë, dhe shumë sensitive, sepse ata çdo herë kanë të drejtë, derisa nuk e kanë të afërmin e vet ose një informatë për të afërmin e vet, dhimbja e tyre, ankthi i tyre nuk mund të shpjegohet me fjalë. Ne politikanët nuk e besoj që kemi shumë të drejtë të flasim, po e them si vet-kritikë, ndoshta nuk e kemi bërë gjithë atë që është dashtë me bë”, tha ai.
Gjithashtu, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur, më 29 gusht në Etno Fest, në fshatin Kukaj, do të shfaqet një dramë për të pagjeturit.
E edhe në Krushë pritet të mbahet tubim me familjarë.
20 vjet pas luftës, vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1500 persona, fati i të cilëve nuk është ndriçuar ende.
Politikanët kosovarë kanë dështuar të zgjidhin çështjen e të pagjeturve, dhe Serbia vazhdon mos të jap asnjë informatë për vend-ndodhjen e tyre.
Tema e të pagjeturve nuk arriti të shtrohet asnjëherë as në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, përveç përmendjes së saj ndonjëherë në bisedimet teknike. / Koha.net / KultPlus.com