25 Gusht, 2021 - 10:26 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Ndërkaq, presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Presidentja Osmani nënvizoi se Republika e Kosovës do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.
Presidentja Osmani po ashtu shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në ballafaqimin me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina, deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan po ashtu për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë. / KultPlus.com