4 Prill, 2023 - 11:17 am
Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mund të organizohen në Kosovë.
Në fakt, Komiteti Olimpik i Kosovës e ka shpallur kandidaturën e organizimit të kësaj gare prestigjioze pas shtatë vjetësh nga tash.
Afati i fundit për aplikim për Lojërat Mesdhetare për vitet 2027 dhe 2030 skadoi më 31 mars dhe me këtë rast, Portugalia kandidoi për Lojërat Mesdhetare në Plazh të vitit 2027, kurse Kosova tri vjet më pas.
Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) përmes uebfaqes së vetë zyrtare, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas këtij të fundit, dy Komitetit Olimpike Kombëtare duhet ta dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në të dy vendet, në Portugali dhe në Kosovë.
E më pas, më 8 shtator në Heraklion, gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.
“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e mirëpret me kënaqësi të madhe interesimin e dy Komiteteve Olimpike, të cilët janë anëtarët më të rinj të familjes Mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e kësaj ngjarjeje, por edhe në përhapjen e idealeve dhe të vlerave të Lojërave në krejt pellgun e Mesdheut”, shkruan ICMG në uebfaqen e vetë zyrtare, e cila shton se kandidaturat e Kosovës dhe të Portugalisë do të shqyrtohen me kujdes nga ekspertët dhe më pas do të vendoset nëse i plotësojnë kriteret apo jo.
Pra, Prishtina mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze.
Kosova është treguar mjaft e suksesshme në pjesëmarrjet e saj në Lojërat Mesdhetare, mbi të gjitha në sportin e xhudos, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta. / KultPlus.com