12 Qershor, 2021 - 3:07 pm
Shkruan: Lulzim Mjeku
Tre gazetarë e raportojnë çlirimin e Kosovës
Në kujtim të të gjithë atyre që u flijuan në luftën çlirimtare dhe të Bedri Sadikut.
Të nesërmen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës e cila i dha fund luftës në Kosovë, u nisa me autobusin e parë nga Struga në Shkup. Kisha kohë që nuk kisha ushtruar profesionin tim të gazetarit, pas një përvoje unike me korrespondentët e huaj nga Los Angeles Times, Radio CBS, San Franscico Chronicle etj. Mora në telefon kolegun e së përditshmes “Rilindja” Blerim Rekën i cili ma preu shkurt: Hajde se Bedriu dhe unë duam ta nxjerrim një numër të gazetës!
Edhepse e dija se ai e din mirë çka do të thotë të botosh gazetë të përditshme, e pyeta se a ishte i ndërgjegjshëm për atë që më tha, si ka mundësi që tre veta të botojnë një gazetë të përditshme. Eja ti në qarshinë e Bitpazarit e mandej e shohim, më tha Blerimi dhe ma këputi lidhjen telefonike. Blerim Rekën si shkupjan që ishte dhe Bedri Sadikun, preshevar i ngulitur në Shkup si korrespondent i “Rilindjes”, i gjeta në një lokal të vogël me papafingo, bashkë me heroin e paimponuar që rrinte në prapavijë Jonuz Zymberin, roli i të cilit do të vijë në shprehje më vonë gjatë procesit të shtypjes dhe distribuimit të gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Në atë lokal ishin vendosur ca kompjuterë ku shpresonim ta faqosim gazetën dhe ta shpërndajmë me 12 qershor në të gjitha kampet e refugjatëve dhe qytetet shqiptare të Maqedonisë.
Blerim Reka mori përsipër gjithë gazetën 12 faqëshe “Rilindja”, Bedri Sadiku si korrepondent me shpirt luftarak, gazetar që të conte morrnicat, mori për detyrë të hyjë në Kosovë me trupat e para të KFOR-it. Mua si gazetar i rubrikës së politikës së jashtme m’u nda detyra që të përgatisja tre faqe gazetë me jehonën që clirimi i Kosovës po bënte në mediet botërore. Ndërkohë që shkonim e vinim te zyrat e korrespondenturës në qendrën tregtare Qairqanja, ku Bedriu kishte zyrën e “Rilindjes”, kisha drojën e madhe se si do të dalë kjo gazetë nga ne tre gazetarë. I thashë Blerimit se e kam ndërmend ta shkruaj një editorial me titullin “Kosova Neoshqiptarizma për Shekullin e Ri”, për ëndrrën time të lirisë. Blerimi po bënte gati editorialin e tij që u botua në ballinë për normandizimin e Kosovës. Bedriu kishte bërë gati fotoaparatin dhe notesin e tij të gazetarit dhe e kishte detyrën më të vështirë. Fati po na buzëqeshte që në fund të informonim lirshëm dhe sipas ndërgjegjes sonë profesionale. Sa me fat, sa përgjegjësi, sa gëzim dhe sa ndjenja të përziera që kur një gjakim historik përmbushet duke u bërë realitet, fillon të shohësh rreth vetes me mosbesim se a është e vërtetë kjo që po ndodhte.
Të nesërmen me 11 qershor 1999 Bedriu ishte nisur heret për në Kosovë, ndërsa me Blerimin dhe shokun e tij të ngushtë Jonuzin, hapëm dyqanin ku do të faqosej “Rilindja” e lirisë. Secili nga ne kryenim punën tonë, me mendime te Bedriu. Lajmet për disa vrasje të qytetarëve të Prishtinës na goditën fort por nuk arritën të na ndalin frymën.
Dikur pasdite vonë Bedriu kthehet. Rrëfen për rrugëtimin e tij nga Shkupi deri në Prishtinë. Kur trupat e para të KFOR-it ishin ndalur për pak në rrugë afër Lipjanit, ai pa e dijtur kish hyrë në qendër të Prishtinës dhe te Hotel Grandi po merrte fotografitë e trupave ruse dhe soldateskës së harlisur serbe. Në atë tollovi ku të gjitha palët për arsyet e veta synonin të defilonin në shesh, Grandi ishte shndërruar në pikë nevralgjike. Një shkëndijë mund ta rindizte konfliktin e armatosur.
Bedriu erdhi si fryma e lirisë së plagosur dhe na rrëfente Prishtinën e rrëzbitur nga izolimi, lufta dhe frika. Duke pirë cigare, duke ndërruar fjalë, duke punuar shpejt, dikur pas mesnatës arritëm ta faqosim “Rilindjen” në 12 faqe.
Jonuz Zymberin e kisha parë tek sorollatej me saktësinë e një zvicerani nga detyra në detyrë në misionin e tij të përkrahjes së botimit, por nuk e kisha parë kurrë si i hapi sytë, qeshi me të madhe dhe e mori gazetën për ta dërguar heret nadje në një shtypshkronjë në Koqani. Të dërmuar nga dita më e ngarkuar emocionale në jetën tone, Blerimi dhe unë shkuam të bëjmë një sy gjumë. Puna e Jonuzit fillonte tekt tash. Kur u zgjuam dikur vonë në mëngjes dhe pasdite u takuam me Jonuzin e kthyer nga Ohri, ne u vetëdijësuam se cfarë pune kishim kryer. Në të gjitha kampet e refugjatëve nga Kosova dhe qytetet shqiptare në Maqedoni gazeta “Rilindja” ishte pritur si dallëndyshja e lirisë. Të gjithë ekzemplarët ishin shpërndarë gratis dhe gëzimi ishte aq i madh sa ishte larë me lotë. Kosova u çlirua dhe këtë akt e kishin shënuar tre gazetarë: Blerim Reka, Bedri Sadiku dhe Lulzim Mjeku. / KultPlus.com