16 Nëntor, 2019 - 4:55 pm
Kosova u përpoq shumë që t’i bëjë anglezët të ndihen mirë në vendin e tyre.
Nëpër qytet u varën parulla që shkruanin “Mirë se vjen, vëlla”, dhe përshëndetje të tjera.
Kryetari i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, tha se kosovarët i janë mirënjohës Anglisë jo vetëm për atë që ka bërë për vendin e tyre, por edhe për faktin që në Angli ka shumë kosovarë.
Ndërkohë, vizitorët e thjeshtë kanë mbetur të kënaqur me çmimet dhe ushqimin në Kosovë, duke postuar në rrjete shoqërore përvojat e tyre.
Të dielën në Stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet ndeshja kualifikuese për Euro 2020 në mes Kosovës dhe Anglisë.
Ambasada e Britanisë në Kosovë, përmes një postimi në Facebook, ka përshkruar Kosovën si vend mikpritës dhe me njerëz miqësorë.
“Thirrje për të gjithë fansat e Anglisë të cilët udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen e së dielës Kosovë-Angli. Një mikpritje e ngrohtë iu pret në Kosovë, vend i famshëm për mikpritje dhe njerëz miqësor. Bëni qejf, bëni miq dhe shijojeni ushqimin e shkëlqyeshëm dhe natyrisht futbollin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës angleze. Top Channel / KultPlus.com