27 Prill, 2022 - 4:48 pm
Pas pak nis ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Në një profil të përgatitur për gruan e parë që barti pozitën më të lartë në politikën e jashtme amerikane, nuk ka se si të mungojë Kosova. “Pse jeni kaq pasiononte kur bëhet fjalë për Kosovën”, ishte pyetur dikur Albright. Përgjigja e saj është ritransmetuar pak para se të nisë ceremonia ku Zonjës Sekretare i jepet lamtumira e fundit.
Karriera politike e ish-sekretares Albright përshkruhet me Kosovën, pjesë të rëndësishme të saj.
Në një profil që e ka përgatitur PBS, pak para se të nis ceremonia mortore në Katedralen Nacionale në Washington, D.C, është rikujtuar rrugëtimi i refugjates që u bë Sekretare e Shtetit.
Albright është kujtuar për vendosmërinë e saj për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës, pasi regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kryente spastrim etnik ndaj tyre.
Intervenimi i forcave të NATO-s për t’i ndalur krimet e forcave serbe në Kosovë dhe bombardimet e 1999-s janë një prej ngjarjeve të cilat e shënojnë karrierën e Albrightit në lidership.
Në një përgjigje të saj, kur ishte pyetur se pse është kaq e lidhur me Kosovën, ajo thoshte se bëhej fjalë për regjimin e një personi, Sllobodan Millosheviqit që po kryente spastrim etnik. Për t’i dhënë kontekst insistimit të saj që të mbronte popullësinë shqiptare në Kosovë nga Millosheviqi, ajo përmendte atë që kishte bërë Hitleri e Stalini.
“Kurrë më s’do të ketë shtëpi dhe fshatra të djegura. Kurrë më nuk do të ketë masakra dhe varre masive”, kishte thënë Albright në Kosovë, pjesë nga fjalimi i së cilës është ripublikuar nga transmetuesi publik amerikan.
Në një bisedë të PBS me Presidentin Clinton, ai ka përmendur rastin e Kosovës si një nga ngjarjet që ndante krenarisht me miken dhe bashkëpunëtorën e tij të afërt, Sekretaren Albright.
Clinton kujtoi një nga momentet më të mira me Sekretaren Albright kur vizituan Kosovën në vitin 2019 për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të cilin e përshkroi si festim të fitores së Kosovës dhe ShBA-së.
“Po e kujtoja kohën kur së bashku me Sekretaren Albright udhëtuam në Kosovë para tre vjetëve kur po festohej 20 vjetori i fitores së tyre dhe tonës, në parandalimin e spastrimit etnik dhe vet ekzistencës së Kosovës”, tha presidenti Clinton.
Albright vdiq më 23 mars, në moshën 84 vjeçe. Ceremonia e varrimit të saj mbahet sot prej orës 11 të paradites, sipas kohës lokale në Ëashington D.C, që i bie në orën 5 te pasdites, sipas kohës në Prishtinë. /Express/ KultPlus.com