28 Nëntor, 2023 - 9:53 am
Arbnora Fejza-Idrizi nga Skënderaj edhe njëherë ka sfiduar limitet e saj në artin e letrave origami, duke bërë me to flamurin kombëtar shqiptar më të madh ndonjëherë, në një sallë sporti në Skënderaj, qytet rreth 50 kilometër larg kryeqytetit kosovar, Prishtinës, raporton Anadolu.
Flamurin prej 120 mijë letrave origami, secila në formë piramidale, Arbnore Fejza-Idrizi thotë për Anadolu se e bëri me ndihmën e 70 nxënësve nga medreseja “Alauddin”, të cilët palosën rreth 50 mijë letra në formë piramidale, ndërsa rreth 70 mijë letra të tjera ajo i bëri vetë dhe me ndihmën e disa familjarëve të saj.
“Ka qenë një punë shumë e vështirë, meqenëse kësaj radhe kam zgjedhur një metodë më të vështirë të punës. Pjesa e letrës ka qenë piramidale, ku për secilën letër nevojiteshin dhjetë palosje”, thekson Fejza-Idrizi, e cila thotë se për gjithë punimin u deshën gjithsej rreth 1 milionë e 200 mijë palosje.
Ajo thotë se në këtë projekt, përpos familjarëve dhe nxënësve, është ndihmuar edhe nga një arkitekt, i cili ka bërë një plan specifik me parametrat e sakta, në mënyrë që flamuri kombëtar dhe shqiponja dykrerëshe në mes, të duken sa më proporcionale.
Fejza-Idrizi thotë se për përfundimin e projektit u deshën gjithsej katër ditë punë.
“Puna ka zgjatur prej orës 10 deri në orën 6 të mbrëmjes, ku e kemi bërë edhe shtrirjen komplet të mozaikut. Ky mozaik është 1.300 metra katrorë, është më i madh se mozaiku i kaluar”, thekson ajo.
Megjithëse mësimdhënësja nga Skënderaj në shkurt të vitit 2021 u bë pjesë e rekordit Guiness nëpërmjet flamurit shtetëror të Kosovës në origami të cilin e realizoi në të njëjtin vend, ajo thotë se puna e fundit e saj me flamurin kombëtar është puna më kulmore që ka bërë deri më tani.
“Ky është ndoshta projekti të cilin e kam punuar më me dashuri, meqenëse me këtë flamur jemi rritur. Duke parë sakrificat e popullit tonë ndër vite, ndër shekuj dhe ndër dekada që për këtë flamur kanë dhënë shumë, jam shumë krenare që kam arritur të bëj diçka për vendin tim që ta prezantoj përtej kufijve dhe njëkohësisht të certifikohet si rekord botëror. Edhe gjatë procesit të punës kam qenë me emocione dhe shumë e lumtur. Mirëpo, kur është finalizuar, ta them të drejtën, nuk kam ardhur pothuajse deri në fund ta shikoj nga lart se si po duket dhe kam ngelur me emocione dhe ndoshta dhe lotët më kanë dalë nga gëzimi”, theksoi ajo.
Fejza-Idrizi me optimizëm pret lajm të mirë nga juria e Guiness-it, ku thotë se rregullat për të thyer rekord me këtë art janë shumë strikte dhe kërkohet që letra të jetë rezistente, praktikuese dhe pesha e letrave të jetë specifike.
Me artin e letrës origami, Arbnora Fejza Idrizi ka hyrë në librin Guinness për herë të parë në vitin 2018 me lulen më të madhe në botë prej 8,7 metrash. Për herë të dytë, ajo u bë pjesë e librit të rekordeve në vitin 2019 me vazon më të madhe prej letre, me një lartësi 2,73 metrash dhe gjerësi 2,38 metra, në të cilën paraqiti në miniaturë flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kurse për herë të tretë, pjesë e rekordit botëror me artin origami u bë në 2021 me flamurin shtetëror të Kosovës në përmasa prej 1 mijë e 216 metrash katrorë.
Arti origami ka lindur në Japoni, ndërsa nga ana kuptimore, “ori” do të thotë palosje dhe “gami” letër. Qëllimi i këtij arti është që të transformohet një fletë e sheshtë katrore prej letre në një skulpturë të përfunduar nëpërmjet teknikave të palosjes së saj. Praktikuesit modernë të origamit evitojnë përgjithësisht përdorimin e prerjeve, ngjitësve ose shënimeve mbi letër. / KultPlus.com