24 Mars, 2024 - 3:20 pm
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Hyseni, i cili është kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ka bërë të ditur se gjatë punimeve të së dielës të Komisionit të Përhershëm drejtues të kësaj asambleje që po mbahet në Estoni, Kosovës i është ngritur statusi në nivelin e anëtarit të asociuar.
“Ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO. Për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Hysenit, me ngritjen e nivelit të përfaqësimit në Asamblenë e NATO-s, Kosova do të ketë zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe të drejtë në adresimin e amandamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë./ KultPlus.com